Meta: Buxheti, qeveria nuk ka parashikuar fonde antikrizë
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi qeverinë se në projektbuxhetin e vitit 2009 nuk ka parashikuar asnjë fond për të përballuar krizën ekonomike globale. “Nuk mund të gjejmë arsye të shpjegojmë që në një kohë kur FMN-ja paralajmëron botën për një krizë në 2009-ën, dhe njëkohësisht paralajmëron Shqipërinë për një rënie ekonomike nga 6% në 2008 në 3.5% në 2009, qeveria Berisha nuk parashikon asnjë qindarkë për t’i ndihmuar shqiptarët në rast se kriza botërore financiare kthehet në një krizë bankare në Shqipëri. Askush nuk i beson përrallat e kampionit Berisha, se ne jemi vendi më i sigurt në botë, sepse banka me kapitale qindra herë më të lartë se buxheti jonë i shtetit falimentuan përpara syve tanë në gjithë botën. E di qeveria Berisha se bankat greke i kanë kërkuar qeverisë greke mbi 20 miliardë dollarë ndihmë për të kaluar krizën? Dhe se një pjesë e mirë e tyre kanë filialet edhe në vendin tonë?”, tha Meta. Kreu i LSI-së akuzon kryeministrin dhe qeverinë se nuk i kushton asnjë vëmendje në buxhet sektorëve të tillë si bujqësia, arsimi dhe shëndetësia, ndërsa ka krijuar një klimë negative ndaj biznesit. “Shteti dhe gjatë 2009-ës parashikon një sistem të centralizuar dhune të organeve tatimore mbi tatim-paguesit. Do të vazhdojë parapagimi i dhunshëm i tatim-fitimit, referencat e dhunshme të pagave dhe numrit të punonjësve dhe favoret selektive për bizneset që punojnë dhe janë pranë qeverisë”, tha Meta.