E Diel, 1 Nëntor 2026

“OSBE i referohet herë standardeve e herë konjukturave”

 

tirane

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, gjatë një interviste në BBC shprehet se greva e urisë e 10 deputetëve arriti sensibilizimin e një opinioni i tërë, brenda dhe jashtë vendit, për rrezikun që vjen nga pjesa e administrimit të këtij Kodi dhe padyshim është një opinion i tërë, që tashmë është ndërgjegjësuar se duhet të jetë tepër vigjilent për atë që pritet të ndodhë me zgjedhjet e ardhshme. Sipas tij, Kodi i ri monopolizon administrimin e votave tek PS-PD, ndërsa i referohet rezultateve të Dushkut për përfaqësim në komisionet zgjedhore. Meta tha se OSBE-ja i referohet herë standardeve dhe herë konjukturave, duke dëmtuar zgjedhjet në Shqipëri. Kreu i LSI-së shprehet se, "po përgatisim një strategji të re në kushtet e reja. Kemi nisur bisedimet me disa kompani me shumë përvojë ndërkombëtare për strategjitë e paralizimit dhe të denoncimit të skemave manipuluese të zgjedhjeve".
Zoti Meta, Kodi Zgjedhor u miratua pa vërejtjet tuaja dhe me forcën e votave në Parlament. A ia vlejti greva e urisë?
Padyshim që po, madje shumë do të thosha. Sepse çfarë është e vërteta, ne nuk prisnim ndonjë reagim apo ndonjë reflektim nga PD-PS për problemin kryesor, atë të administrimit të zgjedhjeve. Dihej që jo më kot ky problem u la për t'u formalizuar vetëm në ditët dhe javët e fundit para miratimit të Kodit, në mënyrë që të kalonte sa më shpejt në një seancë blic, që më pas askush të mos kuptonte se vërtet çfarë kaloi. Ndërsa sot, mendoj se greva jonë ia vlejti shumë, pasi brenda 8-9 ditëve u sensibilizua një opinion i tërë, brenda dhe jashtë vendit, për rrezikun që vjen nga pjesa e administrimit të këtij Kodi dhe padyshim është një opinion i tërë, që tashmë është ndërgjegjësuar se duhet të jetë tepër vigjilent për atë që pritet të ndodhë me zgjedhjet e ardhshme. Ndaj, nuk mendoj kurrsesi se ishte një grevë e gabuar, për arsyen se, në fund të fundit, ishte dhe mjeti i fundit demokratik që na kishte mbetur për të realizuar denoncimin e një puçi të tillë.
Ju dhe grupi i deputetëve thatë para miratimit të Kodit se nuk patët kohën e mjaftueshme për ta shqyrtuar dhe kërkuat dy javë kohë. Tashmë Kodi është miratuar. Cilat janë vërejtjet tuaja për këtë Kod, cila është thembra e Akilit që ju nuk mund ta pranoni?
Kodi ka shumë probleme. Unë e bëra të qartë dje që ne nuk e njohim dhe kontestojmë pjesën e administrimit të zgjedhjeve, që është një pjesë kyçe, për arsye se është në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit, e cila garanton barazinë e subjekteve në zgjedhje dhe barazinë e votës së qytetarëve shqiptarë.
Dhe, së dyti, është në kundërshtim me të gjitha principet dhe kartat ndërkombëtare për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Më konkretisht është në kundërshtim me vetë rekomandimet e OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve të 2005-ës, që procesi i administrimit të jetë më pluralist dhe të mos dominohet nga dy parti.
Cila është arsyeja, që konkretisht, nuk pranoni ju për administrimin e zgjedhjeve në këtë Kod?
Unë mendoj se arsyeja kryesore që ne nuk pranojnë është se si asnjëherë tjetër është ngushtuar përfaqësimi politik në komisione, në mënyrë që të kontrollohen nga PS dhe PD, dhe e dyta është se futet një parti si ajo e zotit Gjinushi, duke iu referuar standardit të Megadushkut, që është tërësisht e pamoralshme. Njëkohësisht gjendet një formulë me patjetër për të eliminuar në mënyrë tepër të padrejtë dhe kriminale Lëvizjen Socialiste për Integrim, të cilën nuk mendoj se ka ndonjë njeri që nuk e do fare këtë forcë politike, apo dhe mua si kryetar i saj, që nuk është i bindur se është forcë e tretë, e padiskutueshme në Shqipëri dhe me ambicie për të ardhmen.
Zoti Meta, ju dolët si kampion i partive të vogla, por pjesa më e madhe e partive të vogla në Kuvend nuk i mbështetën veprimet tuaja. Pse ndodhi kjo?
Sepse nuk ishin të gatshëm të bënin atë sakrificë që të hynin në grevë urie. Por ishin kundër kësaj që ka ndodhur. Nuk ka asnjë parti, përveç PD-PS dhe dy partive satelite të tyre, PR-PSD, që ka rënë dakord me këtë formulë. Pse nuk hynë në grevë? Nuk duronin dot të rrinin pa ngrënë.
Keni paralajmëruar protesta jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Madje, është lajmëruar një protestë pranë OSBE-së, e cila dje përmes ambasadorit të saj në Tiranë i bëri thirrje aktorëve politikë vendas që të fokusohen në zbatimin e këtij Kodi, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në përputhje me angazhimet ndërkombëtare. Si e shikoni deklaratën e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë?
Nuk kam dëshirë të bëj polemika me prezencën e OSBE-së. Unë gjithmonë kam thënë që problemi i madh i zgjedhjeve në Shqipëri nuk janë politikanët shqiptarë, por janë pikërisht institucionet ndërkombëtare, në radhë të parë OSBE-ja, që po të shikosh qëndrimet a tyre ato ndryshojnë edhe brenda ditësh, siç ndodhi para pak ditësh, brenda dy orësh. Ata njëherë i referohen standardeve, njëherë tjetër konjukturave politike. Ndaj, nuk është për t'u çuditur dhe kjo deklaratë që ka dalë ende pa u zbardhur Kodi në Parlament, i cili ishte prej 180 nenesh dhe besoj që akoma s'mund të jetë përkthyer. Por është dhe një deklaratë tepër e nxituar, pasi dihet që Kodi formalisht hyn në fuqi, pasi dekretohet edhe nga Presidenti i Republikës. Megjithatë, unë do të shpreh vendosmërinë time jo për t'ju referuar zyrtarëve të huaj, të cilët ndërrohen në Tiranë, çdo katër vjet të paktën, por ne jemi të vendosur t'u referohemi parimeve ndërkombëtare, standardeve ndërkombëtare. Dhe, në radhë të parë, do të thosha vetë standardeve dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Pastaj, konjukturat politike janë të përkohshme dhe sigurisht që ato nuk na ndihmojmë që të orientohemi drejt.
Ka kohë për Presidentin e Republikës të hedhë firmën për Kodin Zgjedhor. Shpresoni se deri atëherë do të kemi ndonjë fryt?
Që të jem tepër i sinqertë me ju, mendoj se kjo çështje ka hyrë në një rrugë shumë të gabuar. Ajo që ne tani po ndërmarrim është që të bëjmë një aksion thjesht për të protestuar dhe për të treguar rrezikun që po vjen, por edhe për të treguar fuqinë tonë për t'u ballafaquar me këtë rrezik. Ne nuk mund t'u lëmë fushën bosh dy aventurierëve që kërkojnë me ligj të përjetësojnë "një fryt" të regjimit korruptiv në këtë vend. Përkundrazi, ne do të ballafaqohemi. Ata përfaqësojnë tashmë një model. Janë dy gjysma të të njëjtit model autoritarist, korruptiv, antishtet, antiligj dhe në këtë drejtim mund të them se ne do të kemi dhe një asistencë ndërkombëtare. Kemi nisur bisedimet me disa kompani me shumë përvojë ndërkombëtare për strategjitë e paralizimit dhe të denoncimit të skemave manipuluese të zgjedhjeve. Besoj se kjo do të jetë shumë e efektshme, pasi kuptohet që për vende të tilla si vendi ynë, në këto kushte të reja, padyshim që një vëmendje dhe një peshë shumë të madhe do të marrë strategjia e paralizimit të manipulimit. Nuk është një gjë e mirë që të përqendrohen energjitë në këtë drejtim, por ne jemi të detyruar, sepse na duhet të mbrojmë me çdo çmim votën e qytetarëve, votën e shqiptarëve, por edhe t'u japim një mesazh disa ndërkombëtarëve, se nuk mundet ta trajtojnë Shqipërinë me përbuzje, si një vend që kaq demokraci meriton, sepse këtë nivel ka.
Si një dëshmitar i shumë grevave urie, desha t'ju bëj një pyetje personale. Në disa greva urie kanë dalë qese me ushqime, çokollata, byrekë. Ju nuk patët asnjë mundësi që të hanit?
Ne jo vetëm që nuk patëm mundësi, për arsye sepse salla e Kuvendit ishte rrethuar nga tre apo katër breza me policë e gardistë, por mund t'ju them se edhe të vetmit deputetë që hynin e komunikonin me ne, zoti Prifti dhe zoti Jak Ndokaj, kontrolloheshin edhe në trup me dorë, përveç kontrollit elektronik, gjë që është tërësisht e paligjshme, pasi dihet që një deputet nuk mund të kontrollohet, sepse ka imunitet. Por, kjo ishte një zgjedhja jonë, sepse qëllimi me ta ishte thjesht shkëmbimi i informacioneve. Kjo grevë, e thashë edhe një herë tjetër, kishte qëllim të bënte një sakrificë për sensibilizim, jo për vetëflijim, edhe pse disa nga kolegët e mi rrezikuan edhe jetën e tyre, edhe pse mjekët i kërkuan largimin nga greva, vetëm për arsye të solidaritetit ata nuk u larguan.
Marrë me shkurtime nga BBC

Greva
Mendoj që ka qenë gjithçka e përkryer, që nga momenti i nisjes së grevës, e cila u paralajmërua një javë përpara, nuk u bë në mënyrë të papritur, pas refuzimit të gjithë formave të tjera të dialogut nga të tjerët për të gjetur zgjidhjen. Dhe, e dyta, ishte një grevë, e cila e mbylli misionin e vet, - që unë e quajta dhe etapën e parë të sensibilizimit, - në momentin e duhur.

Vota
Ne do mbrojmë votën. Tani marrim masa konkrete dhe pavarësisht nga ky diskriminim që bëhet në mënyrë të padrejtë, përsëri ne kemi mundësi, në çdo rast, qoftë edhe nëpërmjet vëzhguesve, përmes formave e metodave të tjera. Çdo tentativë, qoftë edhe në një qendër votimi në Shqipëri, për të prekur një votë të LSI, pas gjithë kësaj fushate sensibilizuese, do të jetë një kosto e paimagjinueshme qoftë për Ramën, qoftë për Sali Berishën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›