E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, anglezët fshehën pedofilinë

 

Nga  Paul Lewis

Policia britanike ndihmoi mbulimin e një skandali të tmerrshëm abuzimi seksual në një jetimore misionare në Tiranë, ka zbuluar një hetim i “Guardian”. Zyrtarë të lartë ranë dakord që të mbanin sekret detaje për homologët e tyre në Shqipëri, pasi drejtori britanik i jetimores, David Brown, i bindi ata se megjithëse në jetimoren e tij ishte abuzuar seksualisht me fëmijët, ai nuk kishte pasur të bënte me këtë.
Brown, 57 vjeç, një punonjës humanitar evangjelist i cili ka themeluar jetimoren "Fëmijët e tij" shtatë vjet më parë, u konsiderua dje fajtor për "marrëdhënie seksuale" me të mitur. Duke e dënuar atë me 20 vjet në një burg të sigurisë së lartë në Shqipëri, gjykatësi Gerti Hoxha, tha se shtëpia ishte përdorur si "një kamuflim" për abuzime seksuale. Ai shpreson se dënimi do të shërbejë si një paralajmërim për pedofilët e tjerë. 
Duke u mbajtur me vështirësi në këmbët e tij, Brown ishte shoqëruar jashtë sallës së gjyqit. Dy britanikë të tjerë që punonin në jetimore mbeten në gjykim mbi rolin e tyre në këtë abuzim. Dino Christodoulou, 45 vjeç, një kujdestar për terapinë sociale nga Blackburni në Lancashire, dhe Robin Arnold, 56 vjeç, një tregtar nga Cromer në Norfolk, ishin ekstraduar në Shqipëri prej Britanisë në muajin maj. Streha e Brown kujdesej për 40 fëmijë të braktisur dhe të mitur. Ajo ishte mbyllur nga policia shqiptare në maj 2006. Dhjetë fëmijë, të moshës midis 4 dhe 13 vjeç, i deklaruan policisë shqiptare se mbi ata ishte abuzuar seksualisht nga Brown dhe dy britanikët e tjerë. Në disa raste fëmijët pohuan se ishin mbajtur të mbyllur në një galeri, të izoluar dhe të përdhunuar. 
Por një hetim ka treguar se Shërbimi Kombëtar Britanik për Zbulimin e Aktivitetit Kriminal "National Criminal Intelligence Service (NCIS)" mori detaje mbi këto abuzime që para 18 muajsh, në dhjetor 2004, dhe nuk ia kaloi ato homologëve shqiptarë. Brown u dha anëtarëve të NCIS-së, të vendosur në rajon për të luftuar krimin e organizuar, shpjegime pikëlluese të abuzimeve që kishin pësuar djemtë në shtëpinë e tij, por nuk pranoi se ai ishte i përfshirë. Në bazë të fjalës së tij, zyrtarët vendosën të mos informonin policinë shqiptare mbi këto abuzime.
Përpara se të fliste me hetuesit, Brown kërkoi këshilla nga miku i tij Alan Moir, një ish-inspektor policie në pension nga Inverness. Moir, 64 vjeç, i cili kishte mbështetur funksionimin e shtëpisë, organizoi një takim në një hotel në kryeqytet me zyrtarë nga NCIS. Në këtë takim Brown pretendoi se Chirstodoulou, të cilin ai e kishte lejuar të kthehej në Blackburn, kishte abuzuar seksualisht me fëmijët prapa krahëve të tij. Ai nuk tha asgjë mbi përfshirjen e pretenduar të Arnold dhe pretendoi se nuk kishte pasur asnjë njohje paraprake që fëmijët kishin qenë dëmtuar.
"Ne morëm një vendim se nuk do të raportonim (abuzimin) tek autoritetet", thotë Moir. "Ne e dimë se çfarë do të kishte ndodhur - nëse dikush do të ishte arrestuar dhe fëmijët do të ishin rikthyer në rrugë".
I pyetur nëse kjo përbënte një fshehje nga ana e tyre e takimit, Moir përgjigjet: "Ky është një; përshkrim i drejtë dhe i kujdesshëm. Ne e mbajtëm atë sekret nga shqiptarët. Por nuk ishte se ne donim të fshihnim ndonjë gjë - ne ishim duke u përpjekur të mbronim fëmijët, të hapnim një strehë të re dhe të bënim diçka të mirë për ta. Kjo ishte pikëpamja ime në atë kohë - unë mund ta kem patur gabim. Duke parë mbrapa unë ndihem i mashtruar nga David. Në atë kohë isha nën përshtypjen se kjo ishte një shtëpi e vërtetë".  
NCIS kontaktoi policinë e Lancashire, duke kërkuar informata mbi Christodoulou dhe garantoi se ai nuk ishte duke u marrë me fëmijë. Asnjë hetim nuk ishte bërë mbi Arnold, i cili kishte patur dy dënime për sjellje të pahijshme ndaj fëmijëve, të cilat datonin në vitet 1980', duke e lënë atë të lirë të udhëtonte për në Malawi në atë që ai e përshkruante si një mision ndihme, ku ai kishte takuar fëmijë ndërsa u mësonte Biblën. Nuk ka patur asnjë përpjekje për të shpëtuar fëmijët ciganë në strehën jetimore, ku Brown flinte me djemtë në krevatin e tij.
"Shumë prej nesh ishin në siklet mbi atë që kishte ndodhur atje", thotë një prift i cili kishte rënë dakord të mos informonte policinë shqiptare mbi strehën. "Por ne besonim se David ishte një njeri i mirë. Dhe ne nuk donim që e gjithë ajo punë e mirë që kishat tona kishin bërë të lidhej me jetimoren e David".
Në maj 2006, Brown kishte përshtypjen se përpjekja për t'u fshehur kishte patur sukses dhe parashikonte të hapte një tjetër shtëpi nën një emër të ri. Moir dërgoi rreth 20.000 Euro nga paratë e tij për në Shqipëri, të cilat ai tha se ishin për një depozitë mbi tokën ku ata mund të ndërtonin një strehë të re. Por për Brown, loja kishte marrë fund. Duke marrë informata mbi një rrjet të mundshëm pedofilie që vepronte brenda vendit, autoritetet shqiptare mbyllën jetimoren e rrënuar, arrestuan Brown dhe, disa muaj më vonë, ekstraduan Christodoulou dhe Arnold për të dalë përpara gjyqit në Tiranë.
Vetëm atëherë - 18 muaj pasi zyrtarëve britanikë u ishte thënë për abuzimet në jetimore - filloi një hetim i plotë kriminal. Një zyrtar i lartë i policisë britanike i përfshirë në këtë hetim thotë se ai ishte "befasuar" kur zbuloi se abuzimi ishte mbuluar nga kolegë të tij. "Baza e vërtetë për mbrojtjen e fëmijës është: shpëtimi i fëmijëve", tha ai. "Vendimi që ishte marrë nga dhjetori 2004 ishte qartazi një gabim. Ai ka rrezikuar jetën e fëmijëve të pambrojtur".
Në një deklaratë, Agjencia për Krimin e Rëndë të Organizuar (SOCA), e cila ka marrë funksionet nga NCIS, mohoi se zyrtarët e saj ishin përfshirë në mbulimin e krimit, duke saktësuar se akuzat "i paraprijnë krijimit të SOCA" dhe komunikimi midis agjencive të zbatimit të ligjive britanike dhe shqiptare prej asaj kohe është përmirësuar. "Nuk ka patur asnjë mbulim. Marrëdhëniet me shqiptarët në 2004 nuk kanë asnjë krahasim me marrëdhëniet që SOCA ka zhvilluar prej 2006. Në të njëjtën kohë, zyrtarët vepruan mbi bazën e këshillës më të mirë të mundshme në ato rrethana. Marrëdhënia e shkëlqyer që ne kemi tani ka çuar në daljen përpara gjyqit në Shqipëri të tre shtetasve britanikë".
I intervistuar në burg përpara verdiktit të djeshëm, të tre britanikët e akuzuar i deklaruan “Guardian” se me fëmijët ishte abuzuar në strehës. Por të gjithë mohojnë implikimin e tyre personal në abuzim, duke akuzuar njëri-tjetrin. Christo-doulou thotë se fëmijët kanë qenë inkurajuar që të thoshin gënjeshtra mbi të. "Është mizore për dikë që të përdorë fëmijët kundër meje", tha ai.
Arnold tha se megjithëse ai në të kaluarën kishte kryer marrëdhënie të turpshme me fëmijë, ai ishte i pafajshëm ndaj akuzave. "Unë jam këtu sepse Zoti është duke më përdorur mua për t'i vënë poshtë këta bastardë të tjerë", tha ai. Avokatët mbrojtës të të dyve kanë vënë në dyshim vlefshmërinë e dëshmive të dhëna nga fëmijët, duke pretenduar se ato ishin "manipuluar" nga prokuroria. Brown i përshkroi Christodoulou dhe Arnold, të cilët ai i akuzon për abuzimet, si "ujqër me lëkurë qingji". Ai e përshkroi gjyqin e tij si "ditën time në kryq". “Unë jam babai i këtyre fëmijëve dhe unë e kam për detyrë nga Zoti t'i mbroj ata", tha ai.
Marrë nga "The Guardian"

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›