E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat mesatare të sektorit privat, 2 herë më të ulëta sesa ato të shtetit

Nga Fitim Zekthi

Pagat mesatare në sektorin publik kanë kapur nivelin e 35 mijë lekëve në muaj, ndërkohë që pagat mesatare në sektorin privat janë në nivelin e 180 mijë lekëve në muaj. Të dhëna zyrtare bëjnë me dije se rritja e pagave në sektorin privat ka rreth dy vite që ka mbetur në vend për shkak të rënies së investimeve të bizneseve dhe të shtrëngesës më të madhe që ato po përballojnë nga taksat. Deri dy vite më parë pagat mesatare në sektorin publik dhe në atë privat kanë qenë thuajse të barabarta dhe ky hendek ka ndodhur vetëm në këto dy vite. Në sektorin publik, i cili numëron rreth njëqind mijë punonjës dhe ku përfshihen zyrtarët e lartë, të mesëm e të ulët të vendit, mësuesit, policët, mjekët etj., ka patur rritje të pagave prej qeverisë. Në fakt, në sektorin publik ka një kategori pagash që janë shumë të larta dhe ato janë pagat e zyrtarëve të lartë dhe kjo kategori pagash bën që paga mesatare të jetë në 350 mijë lekë të vjetra në muaj. Në sektorin privat jobujqësor punojnë rreth 400 mijë punonjës dhe, pavarësisht se në të ka paga të larta, të cilat i kalojnë pagat e lartat të sektorit publik, përsëri paga mesatare nuk i kalon 180 mijë lekët e vjetra në muaj. Arsyeja është, sepse numri i pagave të ulëta është jashtëzakonisht i madh dhe zë rreth 93 për qind të gjithë numrit të pagave. Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar bënë me dije pak kohë më parë se shtresa në nevojë në Shqipëri nuk ishin punonjësit e sektorit publik, por të papunët dhe ata të sektorit privat, i cili ofron paga të ulëta. Në miniera, në transport, në ndërtim, në industrinë e tekstileve niveli i pagave është vërtet i ulët dhe ka të paktën mbi dy vjet që është në të njëjtën gjendje. Këta sektorë zënë me punë më shumë se 80 për qind të të gjithë numrit të njerëzve që punojë në sektorin privat. Tatimi mbi të ardhurat personale, i cili për këto kategori është rritur me 10 herë (nga 1% që ishte është bërë 10% për shkak se kjo taksë u sheshua), ka patur efektin e vet në uljen e këtyre pagave. Të gjithë punonjësit me paga të ulëta tashmë paguajnë 10 për qind të asaj që marrin, ndërkohë që më herët paguanin vetëm 1 për qind. Barra fiskale është rritur ndaj biznesit, konkurrenca vijon të ketë probleme, fuqia blerës e popullatës ka rënë dhe kostoja e jetës është bërë më e shtrenjtë. Të gjithë këta elementë nuk kanë lejuar që bizneset të rriten në kufij që të mundësojnë rritjen e pagave. Këto janë të gjitha shifra që dëshmohen nga thellimi i hendekut mes shtresave të varfra dhe atyre të pasura, ku 30 për qind e konsumit kryhet prej 10 për qind të popullatës dhe 70 përqindëshi tjetër kryhet nga 90 për qind e popullatës. Kjo do të thotë se një kategori e shoqërisë (prej 10%) konsumon katër herë më shumë se një pjesë tjetër që është pjesa dërrmuese (90%).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›