Berisha drejt Italisë me ftesë të Berluskonit
Kryeministri Berisha niset sot për një vizitë zyrtare në Itali me ftesë të Kryeministrit të Italisë, Silvio Berluskoni. Në ditën e parë të vizitës së tij, sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, Berisha do të jetë i ftuar i nderit në Forumin Ekonomik "Italy and South Eastern Investment Formu", i cili zhvillohet në Verona, aktivitet në të cilin Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë përshëndetëse dhe gjatë të cilit do të takohet me Ministrin e Ekonomisë së Italisë, Skajola si dhe me përfaqësues të grupeve të biznesit pjesëmarrëse në këtë forum. Në ditën e dytë të vizitës së tij në Itali, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takim me Presidentin e Dhomës së deputetëve të Italisë, Xhianfranko Fini në pallatin "Montecitorio" dhe më pas do t'i drejtohet Pallatit "Chigi", ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare dhe takimi me Kryeministrin e Italisë, Berluskoni. Gjatë këtij takimi do të nënshkruhet nga dy homologët dhe Dokumenti i Partneritetit Strategjik. Në fund të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha do të pritet në takim në Campidoglio nga Kryetari i Bashkisë së Romës, Gianni Alemano.