E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Kujtesës, LSI kundër PD: Mos prekni datën e Çlirimit

 ADI SHKEMBILëvizja Socialiste për Integrim del kundër propozimit të Partisë Demokratike për shpalljen e 29 nëntorit si dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist. Sekretari i marrëdhënieve me publikun në LSI, Luan Rama e quajti dje në një konferencë për shtyp, si të pamenduar dhe të papërshtatshëm deklaratën e deputetëve të selisë blu. "Dëshiroj të nënvizoj se propozimi i disa deputetëve të Partisë Demokratike që 29 nëntori të jetë dita e nderimit të viktimave të regjimit totalitar, është i pamenduar dhe më i papërshtatshmi, pasi 29 nëntori është referencë e rëndësishme e historisë antifashiste të popullit tonë si një popull antifashist e kontributor me shumë sakrifica në koalicionin e madh antifashist", tha Rama. Në të njëjtën kohë ai kujtoi miratimit të ligjit "Për shpalljen e Ditës së Kujtesës" në vitin 2004, kur me propozim të Partisë Demokratike, atëherë në opozitë, u shtuan dy pika sipas të cilave "'dita e kujtesës' është ditë e përkujtimit të përndjekjes së shqiptarëve në formën e zhdukjes fizike, burgosjes, internimit, dëbimit dhe spastrimit etnik; 'dita e kujtesës' është ditë homazhi dhe reflektimi për cilindo që ka qenë objekt i dhunës kolektive, në formën e etnocidit, gjenocidit dhe aparteidit". Lëvizja Socialiste për Integrim, megjithëse në koalicion me PD-në festoi 29 nëntorin si ditën e çlirimit. Ndërkohë që demokratët nuk e kanë njohur asnjëherë këtë datë, por kanë njohur 28 nëntorin si ditën e Pavarësisë dhe të çlirimit. Qëndrimi i PDDeputeti i Partisë Demokratike, Genti Strazimiri konfirmoi dje për gazetën "Panorama" se do të konkretizojë nismën për shpalljen e 29 nëntorit si ditën e nderimit të viktimave të komunizmit. "Deklarata në vendin ku u gjetën eshtrat ishte personale, por unë së bashku me kolegët e tjerë do ta konkretizojmë atë. Përzgjedhja e 29 nëntorit si dita e kujtimit të viktimave të komunizmit nuk ka asnjë qëllim tjetër, përveçse është një simbolikë. Kjo sepse 29 nëntori është dita e parë pas luftës dhe nga ajo ditë regjimi njësoi i vrau të gjithë", tha deputeti demokrat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›