Eshtrat që qajnë
Elsa Ballauri Nuk është aspak e papritur ngjarja e zbulimit të eshtrave të personave të vrarë gjatë periudhës së dikaturës komuniste shqiptare të viteve 1945-1991. Shumë e kishin dëgjuar këtë, shumë prej nesh e pëshpërisnin në vitet ’80. Më vonë, pas ’90-tës, thashethemet u shfaqën e u rishfaqën, u shndërruan në dëshmi, në zëra, në deklarata, në shkrime gazete…por askush s’e vuri ujin në zjarr: dihet që një ngjarje, sado tronditëse e ka jëtëgjatësinë të shkurtër.E kaluara e errët dhe e pazbuluar kurrë, na qëndron e varur në qafë dhe nëse nuk kemi mësuar akoma se s’i hidhen hapat drejt së ardhmes, është edhe për këtë shkak. Lustracioni i mbetur në ajër është shndërruar në figurën e xhelatit, ose të viktimës. Nga njëra anë e akuzojnë se ishte antikushtetues dhe si i tillë do të çorodiste sistemin tonë “perfekt” të drejtësisë, nga ana tjetër, ishte një ligj perfekt që do ta “pastronte” menjëherë shoqërinë dhe do ta shpëtonte vendin nga mëkati. Në të dyja rastet, ka shumë për të analizuar. Personalisht, kam qenë dhe jam gjithmonë me idenë e lustracionit. Vetëm duke e kryer atë, ne do të fillojmë të lëvizim bazamentin e mykur të pseudoideologjisë sonë të re demokratike. Ky lloj bazamenti e fsheh më së miri ndryshkun e pandryshuar të psikologjisë sonë totalitare, e cila vazhdon të mbetet tepër e fortë, fshihet si një zvarranik i zgjuar dhe jeton në sajë të indiferentizmit tonë, padijes tonë, budallallëkut tonë, dinakërisë sonë, prepotencës sonë, si edhe në sajë të nevojës të vazhdueshme që kemi për të qënë sa më të liq dhe mosmirënjohës me njëri-tjetrin. Lustracioni nuk është se do të na ndryshojë si me magji dhe befas ne do të bëhemi shëmbulli i drejtësisë e përparimit. Por ai do të jetë një mjet efikas që nëse do të funksionojë mire, të paktën pas një ose dy gjeneratash do të arrihet normaliteti politik e social. E kam gjetur me pak vështirësi e me shumë dhimbje përgjigjen e pyetjes, se pse në shqiptarët nuk duam ta kryejmë këtë proces. Megjithse e kam thënë edhe herë tjetër, përsëri dua ta thëm prapë se në 2004, kur organizuam për herë të parë një konferencë mbi këtë temë, askush nuk u tregua i gatshëm të marrë pjesë, as ata që quheshin intelektualë të lirë, as deputetët, as politikanë të tjerë. Edhe njëherë tjetër, shoqatat e ish të përndjekurve e ndjenë veten të vetmuar, ndonëse përpjekja jonë ishte në rang rajonal. Peter Weiss, jurist i njohur amerikan i të drejtave të njeriut, më tha: “You, Albanians, have to lustrate the Lustration “ (Ju shqiptarët duhet të pastroni Lustacionin (Pastrimin)…Përgjigja e pyetjes është e gjatë, ka disa arsye për të. Së pari se shumë njerëz që janë angazhuar në politikën e sotme, kanë një të kaluar jo të pastër në lidhje me angazhimin e dikurshëm që kanë pasur me pushtetin e vjetër dhe këta e kanë të paimagjinueshme të ndahen nga e tashmja e mrekullueshme që kanë gllabëruar.Së dyti, ekziston ende e fortë tek shpiptarët ndjenja e tarafit, bashkëpunimi dhe mbështetja intensive e grupeve të njerëzve që njohin njëri tjetrin dhe pamundësia për të dalë jashtë këtij grupi. Brënda tarafit gjithkush mundohej të përfitonte nga tjetri, ndërsa koncepti i klanit e ka gërshetuar keq këtë psikologji me ndjesinë e moralit: morali i mikut, etj.Së treti, shqiptarët nuk patën kohë të përgatiten për ndryshimin sepse ka munguar disidenca e organizuar. Ata që i kishin shpëtuar disi ideologjisë komuniste, ishin njerëz që e kishin pësuar gjatë, që në fillimet e pasluftës dhe megjithë përpjekjet përshtatëse për të mbijetuar, nuk e besuan asnjëherë përrallën e komunizmit. Por këta njerëz ishin gjithmonë e më të pakët në numur, gjithmonë e më të lodhur, e kundër tyre, sistemi komunist veproi me perfeksionin e atij nazist.Kam folur edhe më parë për mungesën e klasave shqoqërore- një nga fatkeqësitë më të mëdha të shqiptarëve, e cila nuk do të riparohet për një kohë shumë të gjatë. Por ajo që është e rëndësishme të rithuhet, është vesi i harrimit. Shqiptarët harrojnë, karakteristikë primitive kjo që na përplas gjithmonë pas fytyre historinë. Ne na kthehet e kaluara duke na goditur e vrarë. Harrimi dhe indiferenca i kanë shkaktuar kaq e kaq dhimbje të afërmve të të zhdukurve, aq sa ata detyrohen të hapin tokën e dyshuar me duart e tyre e të kërkojnë nën të historinë e humbur të familjeve. Ka shumë pak burra e gra që janë tërhequr në punën e tyre sepse moralisht nuk ndjehen të denjë për shkak të së kaluarës së tyre për të qënë në krye të shumë punëve. Por, për fat të keq ka shumë më tepër burra e gra që nuk kanë parë dot brënda vetes së tyre e as nuk duan t’ja dinë se duhet krijuar një tjetër model nga ai i pari për ta merituar punën e pushtetit dhe të përgjegjësisë. Shqipëria është në dorën e palës së dytë dhe mbahet peng. Ajo që vazhdon të jetë absurde, është pozicioni i pjesës së ashtuquajtur të lirë: intelektualët. Për çudi, të gjithë janë të frikësuar nga hapja e dosjeve, pothuajse të gjithë e quajnë një veprim të nxituar, ose të vonët, ose të panevojshëm. Duke u rikthyer në përcaktimin e ligjit të Lustracionit si viktimë, mund të them se edhe kjo është e padrejtë. Nëse kryhet lustracioni, ai duhet t’i përfshijë të gjitha kategoritë e njerëzve që bëjnë politikat dhe perspektivat e vendit. Prandaj ligji ishte i pamjaftueshëm, i pabesueshëm dhe rrjedhimisht i dështuar.Hapja e dosjeve është një nga gjërat që i ka shqetësuar fillimisht të gjitha vendet e ish lindjes, por ama, që i ka qetësuar më vonë. Mënyra se si do të trajtohen individët është shumë e rëndësishme në këtë process, por me një vullnet të mire dhe me profesionalizëm, kjo është e realizueshme. Ne duhet të mos harrojmë se asnjëhere nuk është vonë: Kete vit do te hapet në Gjermani Muzeu i Nazizmit, pra pas 20 vjetësh, dhe kjo nuk ështe vonë për gjermanët, çdo vit degjojmë për ngjarje të rëndesishme se si ende ndiqen persekutorët e Luftës së Dytë dhe për këtë nuk është vonë, dhe të gjithë e kemi kuptuar se e gjithë bota demokratike është shumë e ndjeshme ndaj të kaluarës e ndërkohë shqiptarët janë vonë në këtë proces. Le të jemi edhe ne më të sinqertë me veten tonë. Të mos i lemë të patharë lotët e shumë bijve që kërkojnë eshtrat e prindërve ndërsa shteti i bën sehir e të gjithë të tjerët qeshin.