Shpëtoni Presidentin
Edi Lesi Dita-ditës, pritshmëria për tryezën presidenciale të fundjavës, po rritet në mënyrë jo proporcionale me atë çka realisht mund të arrihet në zyrat e kreut të shtetit gjatë bisedimeve mes pozitës dhe opozitës, për daljen nga kriza politike.Ata që do të donin të gjendej një zgjidhje janë sigurisht më të shumtë se ata që kërkojnë që konflikti të zgjasë. Shumica në këtë vend është lodhur nga kjo situatë dhe uron për kapërcimin e saj.Mirëpo, përtej dëshirave, çfarë ka ndodhur deri tani, dhe premisat për zhvillimet e ardhshme të bëjnë të jesh shumë pak optimist. Deklaratat që i paraprijnë 13 shkurtit përmbajnë më shumë paralajmërime ogurzeza sesa vullnet për t’iu afruar zgjidhjes.Mesa duket, Presidenti do të ketë një format bisedimesh ku do të mundohet të kanalizojë edhe palët pjesëmarrëse. E gjitha kjo bazuar në rezolutën e fundit të Këshillit të Evropës për situatën politike në vend. Problemi është se Kryetari i maxhorancës do të shkojë atje me një axhendë të tijën, dhe sidomos Kryetari i Opozitës do të ketë shtrënguar nën sqetull programin e tij personal, jashtë kontekstit, ashtu siç ia merr mendja tij.Edi Rama e di shumë mirë që kutitë nuk do të hapen në Presidencë. Jo vetëm sepse partia në pushtet nuk do të japë dakordin e saj, por ka shumë gjasa që në këtë drejtim të mungojë edhe presioni i zotit Topi, i cili jo shumë kohë më parë është shprehur se as nuk ka tagër dhe as vullnet personal që të ndikojë në vendimet e gjykatave.Moshapja e kutive rrëzon kërkesën kryesore me të cilën paraqitet opozita në tryezën e bisedimeve. çka është e mjaftueshme për t’iu afruar dështimit të negociatave. Fotoja e shtrëngimit të duarve mes dy politikanëve kryesorë në vend do të bëjë patjetër xhiron e medias shqiptare, por kjo vështirë se është e mjaftueshme për atë që kërkohet në të vërtetë.“Si hynë, dolën”, mund të thotë dikush mesditën e të shtunës, kur portat e Presidencës të jenë mbyllur dhe kur reporterët e shumtë rrëzë kangjellave t’u përgjigjen me mundim pyetjeve të përsëritura nga studiot televizive, me ekranin ku shënohet “Live”, nëse u arrit ose jo diçka.Përtej kësaj kronike të paralajmëruar, mund të bëhet një bilanc. Mosarritja e një marrëveshjeje zor se nxjerr dikë të fituar. Mirëpo në gjithë këtë histori, ekziston frika se Edi Rama do të ketë një arsye për të fërkuar duart. Dështimi i negociatave do të sjellë detyrimisht rrëshqitjen e institucionit të Presidentit në ciklin e krizës politike në vend. Më rënien e zotit Topi si një ndërmjetës i mundshëm, ngjan se rrëzohet edhe instanca e fundit, ose pushteti i mbramë që do të mund të sillte normalizimin e situatës. Jo vetëm se bëhemi kësisoj dëshmitarë të zhbërjes së Presidentit, por hiqet kështu nga lista edhe shansi i vetëm i mbetur për kurimin e sëmundjes me ilaçe të prodhuara në vend.Në këto kushte, kriza politike do të merrte tona të reja edhe më të forta, çka duket se në të vërtetë i intereson kryetarit të opozitës. E gjitha kjo do ta faktorizonte atë ndoshta edhe më shumë duke krijuar idenë se ai ka në dorë busullën për daljen nga kurrkundi. Më në fund nuk do të mbetet, veçse ndërkombëtarët të vijnë vetë në Tiranë ku të ushtrojnë edhe një herë “shuttle diplomacinë” e tyre duke rendur sa nga njëra palë tek tjetra. Fatura e qëndrimit të tyre në hotelet luksoze të kryeqytetit do të jetë në fakt, taksa më e vogël që duhet të paguajmë për proçkën e radhës së udhëheqësve tanë. Imazhi i krijuar, që edhe tani është jo pak i rënduar në sytë e Evropës, do të jetë vërtet një haraq i madh për të gjithë. Për fat të keq, do të dëshmojmë sërish se jemi një vend pa maturinë e duhur politike, ku mungesa e stabilitetit gjenerohet sa herë që dikush, që është në krye të një prej formacioneve më të rëndësishme partiake, dëshiron.Nga vend anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE, do të kapim lajmet kryesore të “euronews” për pamundësinë e bërjes së politikës, dhe se si kjo ngjarje shqiptare po mundon edhe një herë ndërkombëtarët.