E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varret masive dhe ligji i rrëzuar

SHEFQET DELIALLISI Zbulimi i varrezës masive në malin e Dajtit në të njëjtën kohë me rrëzimin e ligjit të lustracionit nga Gjykata Kushtetuese ishte një koincidencë. Por tepër e hidhur dhe e trishtueshme. Edhe njëherë vëmendja u kthye te plaga ende e hapur, krimet e komunizmit. Krime që kurrsesi nuk mund të injorohen sikur asgjë nuk ka ndodhur.Para disa muajsh emisioni televiziv “Histori me zhurmues” na ktheu prapa, në vitin 1951, në masakrën komuniste, të ashtuquajturën “bombë” në Ambasadën Sovjetike, që u pasua me pushkatimin pa gjyq të 27 intelektualëve, mes të cilëve dhe një grua.Histori rrëqethëse. Të gjithë në një varr. Të gjithë me duar të lidhura me tel, klithma para pushkatimit... Por ajo që të impresiononte ishin pasardhësit e intelektualëve të masakruar. Njëri më fisnik se tjetri. Ndonëse kishin vuajtur më parë “holokaustin” e më pas “aparteidin” e luftës 50-vjeçare së klasave, askush nuk shfaqi qoftë dhe një grimë hakmarrje. “Të paktën dikush të kërkojë falje”, vetëm kaq ish kërkesa e shkrimtarit dhe përkthyesit të shquar Amik Kasoruho, me gjithë kalvarin e vuajtjeve që kish pësuar ai dhe familja e tij.Nga ana tjetër, po disa muaj më parë, të gjithë mbetën gojë hapur, por këtë radhë në sensin e kundërt. Jo nga një person dosido. Pikërisht nga një ish kryeministër. Zoti Majko, madje përfaqësues i një brezi të ri në moshë, por siç duket jo në mendësi. Në foltoren e Parlamentit dëgjuam urrejtjen patologjike të tij: “ Mos i vendosim këta surretër …. këta nuk e meritojnë. Këta janë plehrat e historisë. Kolaboracionistë, horra......”  Bëhej fjalë për të pushkatuarit pa gjyq nga regjimi komunist para 28 nëntorit 44. Njerëz të vrarë e të hedhur hendeqeve, shumica ende pa varr. Të gjithë fisnikë, të cilët nuk ishin as kolaboracionistë, e aq më pak horra, siç i cilësoi deputeti ynë. Të gjithë patriotë e intelektualë, të cilët regjimi terrorist që po të instalohej i pushkatoi pa gjyq, vetëm se i mendonte si kundërshtarë potecialë në të ardhmen.  Jam i sigurt se ky deputet, nuk e ka parë ekspozitën hapur një vit më parë në Tiranë me rastin e 20 shkurtit. Kush ka vizituar Yad Vashemin, muzeun e famshëm të Holokaustit në Jerusalem, dhe ekspozitën e 20 shkurtit në Tiranë, ka konstatuar një ngjashmëri të madhe mes tyre. Jo vetëm nga mënyra e ekspozimit. Në të paraqitej kryqëzimi i inteligjencës, shtypja e mendimit të lirë, masakrimi klerit, asgjësimi i fesë, gjyqet speciale, vrasjet masive, torturat çnjerëzore, deri te vrasjet në kufi në vitet 1988-‘90. Në stenda shfaqej truri i kombit, fisnikët, intelektualët e shquar, një pasuri kombëtare e pallogaritshme, e masakruar egërsisht.Të mendosh se pas kaq shumë vrasjeve (mbi 5 mijë) qëndron një vrasës është e tmerrshme, por më e tmerrshme është kur mendon se asnjë nga vrasësit nuk është dënuar, madje as moralisht. Dhe më e tmerrshme akoma, kur mendon se asnjë prej tyre as nuk tenton të kërkojë të paktën falje. Disa vite më parë bëri xhiro në mediat botërore lajmi i kapjes diku në Amerikën Latine, i një krimineli të luftës së dytë botërore dhe ekstradimit i tij në Izrael. Tepër i moshuar, rreth 90 vjeç, mezi tërhiqte këmbët ndërsa zbriste nga avioni. I mbajtur prej krahësh ai doli para gjyqit për krimet e kryera shumë vite më parë. Në botën e qytetëruar krimet nuk falen. Krimet dënohen, pavarësisht sa kohë ka kaluar. Por çfarë ndodh tek ne? Ndonëse ligji i lustracionit u zbut deri në atë masë sa flitej vetëm për përgjegjësi morale për shkelësit e ligjeve të kohës, që montuan dhe falcifikuan gjyqe, që torturuan, vranë e tërhoqën zvarrë të rinjtë në kufi, ai u kundërshtua me forcë. Që kjo të ndodhte nga persekutorët dhe pasardhësit e tyre ishte e pritshme, por nga përfaqësues të botës së qytetëruar kurrsesi.Preken të drejtat e njeriut thanë shoqatat tona të mbrojtjes së të drejtave të njeriut, që vetëm të tilla s’janë !!!!!,. Thuajse shqiptarët që u pushkatuan e burgosur nga komunizmi nuk ishin qenie njerëzore. U bë qameti vetëm se kërkohej që xhelatët, madje vetëm përkohësisht, të largoheshin nga postet publike!! Dhe kapakun ja vuri Gjykata Kushtetuese me rrëzimin fare të Ligjit.Duke parë një vit më parë në ekspozitën e 20 shkurtit, fotot rrëqethëse të rinisë të masakruar në kufi, në prag të vitit 1990, m’u kujtua një intervistë e vitit 2008 e ish- ambasadorit Amerikan në Tiranë Z. Rajerson në gazetën “Illyria” të Nju Jorkut, të cilën po e citoj. Pyetje: çfarë kujtoni nga takimet tuaja me ish-presidentin Ramiz Alia ? “…….. ai u soll në mënyrë dashamirëse me mua, por unë asnjëherë nuk harroja se sa shumë njerëz ishin vrarë duke u përpjekur që të iknin nga Shqipëria gjatë viteve të tij..... Ai kishte gjak në duart e tij. Shumë gjak......”është e vërtetë se jemi në vitin 2010 dhe kemi nevojë për më pak urrejtje, por sigurisht edhe për më shumë respekt për të masakruarit e komunizmit. Ligji i lustracionit duhet ribërë sa më parë, edhe në respekt të atyre varreve ende të pa gjetura. Dhe, më e pakta që veglat e diktaturës, ende gjallë, duhet të bëjnë, është të tregojnë varret dhe të kërkojnë një falje publike. Kaq sigurisht që nuk është shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›