Meta: Mbështesim Malin e Zi si anëtar në NATO
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, priti dje kryetarin e Kuvendit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Gjatë takimit u diskutua mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët, mbi bashkëpunimin në kuadër të integrimit të përbashkët evropian si dhe mbi zhvillimet në rajon. Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe vlerësoi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Malit të Zi, duke shprehur kënaqësinë për arritjen e liberalizimit të vizave me zonën Shengen. Kryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Krivokapiç, theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë shumë të mira dhe se ato shërbejnë si një model i vërtetë për vendet e tjera të rajonit. Meta dhe Krivokapiç vlerësuan rolin konstruktiv dhe kontributin e të dy vendeve në bashkëpunimin e suksesshëm rajonal, si dhe shkëmbyen mendime për zhvillimet në rajon. Kryeparlamentari malazez zhvilloi dje takim dhe me Kryeministrin Sali Berisha. Kryeministri Berisha vlerësoi progresin e Malit të Zi në procesin e integrimit evropian, duke premtuar mbështetje edhe për anëtarësimin në NATO. Kryeministri Berisha theksoi interesin dhe vëmendjen e tij të posaçme në forcimin e Malit të Zi si një shtet i pavarur i suksesshëm dhe me rol të rëndësishëm në rajon.