E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha, drejt Twentes

Etrit Berisha pritet t’i japë lamtumirën skuadrës suedeze Kalmar, pas katër vitesh të kaluara te ky klub. Portieri kosovar karrierën ka gjasa të vazhdojë në Holandë, respektivisht te skuadra e Twentes.

Kjo e fundit ka shprehur interesim për anëtarin më të ri të Kombëtares shqiptare, të cilin e ka vëzhguar edhe nga afër. Ndërsa, sipas mediave suedeze, Kalmar nëse merr ofertë të mirë, mund ta shesë menjëherë kosovarin pasi ka kontratë me të vetëm edhe një vit.

“ Të jesh në gjendje të luash në një kampionat të mirë, ekipin më të madh, normalisht që ky është qëllimi im. Unë e di se disa klube holandeze janë të interesuar për mua dhe se ata mund të vijnë dhe të më shohin në çdo kohë. Më shumë se kaç nuk e di”, ka deklaruar për mediat suedeze.

I pyetur se a do të largohet nga Kalmari gjatë këtij afati kalimtar, Berisha është përgjigjur: “Unë nuk mendoj kështu dhe nuk mund të caktoj ndonjë kohë se kur do të largohem”.

Berisha në dy sezonet e fundit në elitën e futbollit suedeze është shndërruar në njërën nga pikat më të forta të Kalmarit. Ai më herët pati pohuar se në adresë të tij kishin ardhur oferta edhe nga klube italiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›