Salzburg i do edhe dy kosovarë

Skuadra e njohur austriake Red Bull Salzburg shumë shpejt mund të bëhet çerdhe e futbollistëve shqiptarë. Pas transferimit të Valon Berishës nga ekipi norvegjez Viking, Salzburg dëshiron t’i transferojë edhe dy futbollistë kosovarë në radhët e veta.
Bëhet fjalë për talentin 15 vjeçar Zymer Bytyqi, i cili aktivizohet te skuadra norvegjeze Sandnes dhe vëllanë e vogël të Valonit, Veton Berishën i cili me sukses po e bart fanellën e skuadrës norvegjeze Viking.
Drejtuesit e klubit austriak të dielën kishin marrë rrugën për në Norvegji për të përcjellë nga afër ndeshjen ndërmjet Vikingut të Veton Berishës dhe Sandnesit të Zymer Bytyqit, që përfundoi 5:0 për vendasit.
“Red Bull Salzburg ishte këtu për të parë Vetonin. Ne nuk kemi marrë asnjë ofertë dhe as kemi lënë ndonjë takim me ta për të biseduar rreth kësaj çështjeje”, ka thënë presidenti i skuadrës ë Vikingut, Christian Rugland, për mediat norvegjeze.
Ndërkohë, talenti Zymer Bytyqi, për të cilin interesim kishte shprehur edhe kampioni aktual i Anglisë, Manchester City, të hënën ka udhëtuar drejt Austrisë për të parë kushtet që ofron skuadra e Red Bull Salzburg.
“Unë do të shikoj vetëm kushtet dhe pastaj do të shohim se çfarë ndodh. Kam takuar drejtuesit e klubit në një darkë dhe më pëlqeu ajo çka kam dëgjuar”, ka deklaruar Bytyqi për mediat norvegjeze.
15-vjeçari, i cili është lojtari më i ri që ka debutuar në elitën e futbollit norvegjez, ka marrë premtime se do të luajë me ekipin e parë të Red Bull Salzburgt nëse vendos t’i bashkohet.
“Ata kanë thënë se do të investojnë në mua dhe se unë do të stërvitem me ekipin e parë. Më pëlqen kjo ofertë e tyre”, ka theksuar talenti me prejardhje nga Kosova.
Ndërsa drejtori sportiv i Red Bull Salzburgut, Ralf Rangnick, është i vetëdijshëm pse dëshiron ta transferojë Bytyqin në ekipin austriak. “ Ai është aq i ri, por ka luajtur pesë ndeshje në ligë dhe është aq i mirë, prandaj ne e kërkojmë atë”, thotë Rangnick.
Ndërsa menaxheri i 15 vjeçarit, Jim Solbakken ka thënë se klienti i tij nuk do të thotë se do të nënshkruajë me skuadrën austriake, edhe pse ndodhet në Salzburg. Sipas tij, Bytyçi ka kushte të mira edhe në Sandnes e po ashtu kërkohet edhe nga klube tjera.