Berisha, dy orë leksion përpara të rinjve nga Europa se si opozita është e dëmshme për vendin
Duhet të ketë qenë një ditë horror për disa të rinj nga Europa, të cilët kishin mbërritur në Shqipëri, të thirrur nga Gerti Bogdani. Të rinjtë e Forumit Rinor Europian, pjesë e forumeve politike të të rinjve konservatorë nga Europa, u ulën përpara kryeministrit, i cili u foli rreth dy orë, herë anglisht e herë shqip, duke e terrorizuar edhe një përkthyes të ri. Një fjalim alla- Fidel Kastro, që do turpëronte çdo shqiptar në këtë vend. Sidomos anglishtja e tij tipike e liderëve autoritarë afrikanë tip Mugabe. E nisi fjalën e tij të stërgjatë në anglisht, më pas e ndërpreu duke folur në shqip dhe e mbylli në anglisht.
Por çfarë u tha të rinjve?
Gjysmën e parë të fjalimit u foli se sa e mirë është kjo qeveri, sa shumë po punon, si Shqipëria po sfidon krizën ekonomike të thellë në vend.
Gjysmën e dytë, njeriu që po akuzohet se njësoj si Vladimir Putini e do opozitën thjesht për fasadë, lëshoi vrer kundër opozitës, duke tentuar të bindë të rinjtë europianë se opozita është e dëmshme për vendin. Ai tha se opozita po bllokon integrimin dhe përparimin e vendit. U shpjegoi të rinjve gjatë sistemin zgjedhor në Shqipëri, si numërohen votat, si bëhet ankimimi dhe se si ai fiton çdo zgjedhje dhe Rama ankohet. Berisha u tha se pasi Rama bëri mijëra protesta, ai mori ndëshkim në zgjedhjet lokale. Madje të rinjtë mësuan se Edi Rama është komunist, që ka ringjallur Bllokun dhe pasardhësit e komunistëve kanë pushtuar PS-në.