Shënim: Përse iku Naço dhe erdhi Tavo në qeveri?
Pavarësht nga fjalitë e mëdha me fjalën integrim në përbërje, që janë thënë e do të thuhen për lëvizjet e fundit ministrore të LSI-së, shkaku i tyre duhet të jetë politik. Pakëkush mund të bindet se kalimi i një studiuesi të gjuhëve të huaja (Haxhinasto) nga ministria e jashtme te e ekonomisë dhe zëvendësimi i tij nga një agronom (Panariti) do ti japin një impuls të fortë integrimit tonë diplomatik dhe ekonomik në BE.
Por cilat janë llogaritë politike që e bënë Metën të kryente këtë rotacion të çuditshëm?
Përgjigjen mund ta gjejmë në dy votimet e kryera në Kuvend para zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Nasip Naçi, Ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, ishte i vetmi deputet i LSI-së që u nda nga grupi i vet parlamentar në votimin për anëtarin e KLD-së dhe për ligjin mbi akcizat. Në ato dy votime, tre deputetët e tjerë të LSI-së nuk morën pjesë në votim, duke i bërë shantazh të hapur Berishës në pokerin mes këtij të fundit dhe Metës për kandidaturën e presidentit.
Dhe Nasip Naçi presupozohej të ishte deputeti më i besuar i Metës, meqë i është bashkuar më herët LSI-së dhe është me origjinë po nga Skrapari. Ndërsa dy deputetët e tjerë, Vangjel Tavo dhe Lefter Koka, janë prurje të vona në LSI.
Me lëvizjet e fundit ministrore, duket se Meta dënoi pabesinë e Naços dhe shpërbleu besnikërinë e Tavos. Të parin e hoqi nga posti i ministrit të ekonomisë, të dytin e bëri ministër të shëndetësisë. Ndërsa Lefter Koka duket se nuk ka pretendime për më shumë se kryetar grupi parlamentar.
http://respublica.al/artikuj/2012/6/23/shenim-perse-iku-naco-dhe-erdhi-tavo-ne-qeveri
