E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Garë, jo emërime në FRESSH

Arben Malaj

Anëtari i Kryesisë socialiste reagon pas mbledhjes së Asamblesë së Forumit Rinor Eurosocialist.

Votat të numërohen nga të rinjtë, jo nga komisione të jashtme

Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, shprehu dje shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit në Forumin Rinor Eurosocialist.
Në adresën e tij në Facebook, Malaj shprehet se drejtuesit e FRESSH-it nuk duhet të emërohen, por të zgjidhen përmes një gare, ndërsa votat duhen numëruar nga vetë të rinjtë. Zhvillimet e fundit në Forumin Rinor të PS meritojnë vëmendje dhe dashamirësi. Të rinjtë duhen motivuar, inspiruar dhe mbështetur për një karrierë sa më të suksesshme dhe të merituar. Konkurrimet e tyre në nivel komune, bashkie, rrethi, qarku dhe nivel kombëtar nuk duhet të deformohen nga preferencat individuale të askujt. Kandidatët për mandate drejtuese në çdo nivel duhet të votohen në një garë serioze sipas rregullave dhe proceseve transparente dhe të monitorueshme, shprehet Malaj. Sipas tij, edhe në Forumin Rinor nuk duhet të mungojë gara. Numërimi i votave duhet të bëhet nga përfaqësuesit e të rinjve, dhe jo nga komisione me të preferuar individualë jashtë strukturave të të rinjve. Të rinjtë në proces konkurrimi duhet të kenë të drejtën të lexojnë dhe verifikojnë votat mbështetëse. Postet drejtuese të stafeve rinore pas zgjedhjes së kryetarit në çdo nivel deri te kryetari i Asamblesë Kombëtare të Forumit Rinor duhet të përzgjidhen me garë, dhe jo me emërime të parapërcaktuara, shprehet anëtari i Kryesisë socialiste. Për Malajn, mënyra se si bëhen garat në Forumin Rinor do të ndikojnë dhe në të ardhmen e partive. Modeli i konkurrimit dhe garave përzgjedhëse dhe sistemi i karrierës që u afrohet të rinjve do të përcaktojë sjelljen dhe kulturën e tyre politike për një kohë të gjatë dhe do të ndikojë në të ardhmen jo pak në cilësinë e partive politike dhe të qeverisjes së vendit. Ndaj, përgjegjësia për modelin e kontributeve dhe të karrierës së tyre politike dhe profesionale duhet të jetë maksimale në shërbim të sfidave të FRESSH-it, PS dhe të vendit, shkruan Malaj në adresën e tij në Facebook. Për anëtarin e Kryesisë socialiste të rinjtë duhet të jenë kërkues dhe të mos lejojnë deformimin e procesit në zgjedhjet e tyre. E kam mbështetur procesin e konkurrimit me disa kandidatë dhe përballë të rinjve në çdo rreth të vendit, ndaj mendoj se ky proces nuk duhet cenuar dhe deformuar në fazat e tij të fundit. Të rinjtë duhet të jenë më kërkues ndaj vetvetes dhe përballë të tjerëve në angazhimin e tyre për të kontribuuar dhe për të merituar një karrierë në rritje. FRESSH duhet të rilindë meritokracinë, përkushtimin, duke ndaluar që në embrion tendencat e riorganizimeve të imponuara jashtë sistemit të vlerave dhe konkurrimit, shprehet Malaj në adresën e tij në Facebook.

Mbledhja e parë e Forumit Rinor
Asambleja e FRESSH zgjodhi drejtuesit e saj
Të enjten pasdite, në hotel Tirana, mbledhja e Asamblesë Kombëtare të FRESSH-it zgjodhi kryetarin dhe dy nënkryetarët e saj. Sapo ka nisur mbledhja, brenda pak minutave, me dyer të mbyllura për mediat, anëtarët e Asamblesë kanë zgjedhur mes duartrokitjesh kryetarin e Asamblesë, Erind Bejkon, si dhe dy nënkryetarë. Mbledhja e Asamblesë Kombëtare të FRESSH-it, e cila u zhvillua menjëherë pas kongresit zgjedhor të këtij forumi, u zhvillua pa praninë e kryetares së sapozgjedhur, Spiropali, e cila u largua në shenjë proteste ndaj paqartësive që ajo kishte ndaj listës së anëtarëve të Asamblesë. Spiropali kërkoi që të verifikoheshin listat e anëtarëve të Asamblesë, ndërsa kishte vërejtur se mungonin disa nënkryetarë të degëve të FRESSH-it në rrethe.

Spiropali: Ishte një problem organizativ, e kemi zgjidhur

Spiropali dje në konferencë për shtyp

Kryetarja e FRESSH-it, Elisa Spiropali, gjatë një konference për mediat, tha se debatet e brendshme në këtë forum kanë gjetur zgjidhje, pasi kishin të bënim vetëm me një problem organizativ. Jam shumë e keqardhur për deformimin skandaloz që i është bërë dashakeqësisht në një sërë mediash një çështjeje të brendshme organizative të FRESSH-it. E po ashtu më vjen keq për këdo kundërshtar që ka kujtuar se ka gjetur arsye për të hedhur baltë mbi FRESSH-in dhe Partinë Socialiste, por arsye të tilla nuk ekzistojnë. Pas një pune të jashtëzakonshme gjashtëmujore dhe një fushate të shkëlqyer për nga modeli i ri që FRESSH-i ofroi në sytë e të gjithë shqiptarëve, na u desh të zgjidhim dje një problem thjesht organizativ dhe tanimë e kemi zgjidhur. Askush ska pse çuditet nga debatet tona të brendshme dhe as ka pse vrapon të nxjerrë lajme krejt të shtrembëruara për qëllime politike, për një çështje pa asnjë interes, që ka lidhje ekskluzivisht me mënyrën e organizimit tonë të brendshëm. Për ne mosdakordësitë nuk i mbysim duke asgjësuar debatin, po i zgjidhim mes njëri-tjetrit, u shpreh Spiropali.

Maria Myridinas: I qëndroj deklaratës së Elisës
Një nga gjashtë garuesit për kreun e FRESSH-it, Maria Myridinas, u ndje e befasuar nga telefonata, përmes së cilës iu kërkua një opinion rreth debatit në FRESSH dhe akuzave për manipulime të listës së anëtarëve të Asamblesë. Jo shumë e gatshme për të komunikuar me gazetarët për shkak të pasqyrimit mediatik të një debati të brendshëm të Forumit ku ajo është nënkryetare, Maria kërkoi që ti qëndronte deklaratës së bërë nga Spiropali dje në mesditë. Nuk kam asnjë koment, dua ti qëndroj deklaratës që bëri sot Elisa. Unë nuk shoh që të ketë ndonjë problematikë në Forumin tonë, ku ne kemi nisur ta ringremë dhe ta bëjmë forcë vitale, u shpreh Maria.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›