E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha e Basha: Dhuna në Maqedoni, e dënueshme

Tirana zyrtare ka reaguar ashpër dje ndaj incidenteve të ditës së diel në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni. 

Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, kanë dënuar dhunën në komunat me shumicë shqiptare, duke bërë thirrje për maturi dhe qetësi. Duke komentuar ecurinë e procesit zgjedhor në vendin fqinj, Kryeministri Berisha u shpreh se, “në këto zgjedhje ka pasur disa incidente të rënda, të cilat kanë krijuar tensione e frikë dhe nuk shkojnë në frymën e zhvillimit normal të zgjedhjeve”. “Dje kam komunikuar në telefon me dy liderët kryesorë të partive politike shqiptare në Maqedoni dhe kam besim se autoritetet maqedonase të zgjedhjeve dhe grupi ndërkombëtar i vëzhgimit do të japin rekomandimet më të mira, për riparimin e problemeve të krijuara, në mënyrë që çdo qytetar i vendit të shprehë lirisht vullnetin e tij”, vijoi më tej kreu i qeverisë. Ndërsa në deklaratën e Ministrisë së Jashtme thuhet se, “Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri e përgjegjësi politike dhe të sigurojnë që procesi i numërimit dhe nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve të mos shoqërohet me incidente të mëtejshme. Organet kompetente duhet të bëjnë zbardhjen e menjëhershme të incidenteve dhe nxjerrjen para ligjit të përgjegjësve”. Njëkohësisht, sipas Ministrisë së Jashtme, duhet që pas bërjes së një analize të plotë lidhur me këto zgjedhje, të bëhet e mundur që në ato zona ku nuk është votuar, të votohet sipas standardeve demokratike.                    a.sh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›