E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet në Maqedoni, Ali Ahmeti me 9 mijë vota para

Në Maqedoni, Komisioni Shtetëror Zgjedhor konfirmoi dje fitoren e kryeministrit Nikolla Gruevski me shumicën dërrmuese të votave. 

Me gjithë publikimin e rezultateve, të dyja partitë shqiptare përjetësisht në rivalitet, deklarojnë fitoren e vet dhe humbjen e palës tjetër. Për shkak të dhunës dhe incidenteve të shumta në procesin zgjedhor ditën e votimit në zonat shqiptare, OSBE/ODIHR i vlerësuan negativisht zgjedhjet në Maqedoni, si një proces që shënoi hapa pas për arritjet demokratike të Maqedonisë pa respektuar asnjë standard. Grupi Ndërkombëtar i Krizës (GNK) në raportin e vet “Crisis Watch”, të shpallur dje e vendos Maqedoninë në grupin e vendeve me situatë potenciale aktuale konfliktuoze të përkeqësuar gjatë majit të vitit 2008.
Deklaratat e shqiptarëve
Në bllokun shqiptar dy subjektet kryesore, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Partia Demokratike, pohojnë se kanë fituar. Sipas Komisionit Shtetëror Zgjedhor përparësi me mbi 9 mijë vota ka BDI e Ali Ahmetit. Por Menduh Thaçi kryetar i PDSH, thotë se partia e tij ka fituar: “Është fitorja më e rëndë, më e vështirë por më e lezetshme për PDSH-në”. Megjithatë, zgjedhjet mund të përsëriten në disa qendra votimi. Eurokomisioneri për zgjerim, Olli Rehn ka biseduar me telefon me Kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski lidhur me zgjedhjet e djeshme parlamentare. Ai ka shfaqur shqetësim për shkak dhunës që është paraqitur në disa vendvotime gjatë votimit. Edhe Greqia, e cila është e përfshirë në një konflikt emri me Maqedoninë, shfaqi keqardhje për dhunën gjatë zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni. Ministria greke e Punëve të Jashtme, Dora Bakojanis, theksoi se Athina do ta injorojë paraqitjen e retorikës së rritur kombëtare gjatë periudhës parazgjedhore.
Vlerësimet e KSHZ
 Sipas rezultateve të përpunuara nga 2.931 vendvotime përkatësisht 98,49 për qind nga numri gjithsej, koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” (VMRO-DPMNE) ka fituar 479.219 vota (46,89 për qind), “Dielli-Koalicioni për Evropë” (SDSM) ka fituar 231.978 (22,7 për qind), BDI-ja 109.940 (10,76 për qind), PDSH-ja 101.123 (9,89 për qind), ndërsa PAE-ja 14.489 (1,42 për qind) të votave, njoftoi Komisioni Shtetëror Zgjedhor. Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare dhe zgjedhjet e para të parakohshme ka qenë 58,73 për qind. Nga 1.779.116 qytetarëve të evidentuar në Listën e vetme zgjedhore të drejtën e votimit e kanë shfrytëzuar 991.573 qytetarë. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme është 30.504. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve rezultatet e para nga zgjedhjet i publikoi në një afat prej 12 orëve, ndërsa rezultatet përfundimtare 24 orë pas përfundimit të votimit. Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë deputetët në Kuvend zgjidhen për katër vjet dhe mandatin e tyre e verifikon Kuvendi. Ai fillon të rrjedhë nga seanca konstitutive e përbërjes së re parlamentare. Kuvendi i ri mban mbledhje në seancë konstitutive brenda 20 ditëve pas mbajtjes së zgjedhjeve.

KSHZ

VMRO-DPMNE
- 479.219 (46,89 për qind)

SDSM
- 231.978 (22,7 për qind)

BDI
- 109.940 (10,76 për qind)

PDSH
- 101.123 (9,89 për qind)

PAE
- 14.489 (1,42 për qind)

“Grusht për shpresat e Shkupit”

Sipas shtypit britanik, zgjedhjet në Maqedoni janë karakterizuar me dhunë të gjerë, e cila i dha një grusht të rëndë shpresave të Shkupit sa i përket hyrjes së shpejtë në NATO dhe në Bashkimin Evropian. “Dayli telegraph” fajëson për pjesën më të madhe të dhunës shqiptarët. Përleshjet e armatosura në të cilat ka pasur edhe viktima kanë detyruar Komisionin Zgjedhor të pezullojë votimin në afro njëzet vendvotime. Gazeta “Gardian” në artikullin me titullin: “Dhuna dhe manipulimet njollosin zgjedhjet në Maqedoni”, shkruan se zgjedhjet në Maqedoni shihen si një provë e pjekurisë politike të këtij vendi dhe tani fushata më e fundit e dhunës ka rritur shqetësimet se, përparimi i këtij vendi drejt anëtarësimit në BE mund të shtyhet edhe më gjatë.

“Problem shqiptarët në koalicion”
“Nikolla Gruevski fitoi zgjedhjet, por nuk ka fituar ende gjendjen politike, sepse për të garantuar stabilitetin e klimës ndëretnike në Maqedoni duhet të përfshijë në qeveri një nga dy partitë shqiptare”, tha kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pak. Pak shtoi se: “Gruevski ka fituar më shumë sesa gjysmën e vendeve në parlament, por me kaq nuk e ka fituar ende gjendjen politike, sepse ai duhet të përfshijë në qeveri një nga dy partitë shqiptare për të garantuar moskeqësimin e klimës ndëretnike në Maqedoni”. Sipas saj, problem për Gruevskin do të jetë se cilën parti shqiptare do të marrë në koalicion, ndonëse më parë Gruevski ka thënë se do të marrë partnerin e vjetër, PDSH-në. Nëse BDI-ja mbetet përsëri e pa përfshirë, Doris Pak shprehu dyshimin se, ajo do të kontribuojë në paqësimin e gjendjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›