E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hamdi Haklaj, në gjyq për tjetër vrasje

Vrasja e Halil Hoxhës në vitin 1998 është akuza më e re në ngarkim të Hamdi Haklajt, djalit të madh të Muharrem Haklajt, nga Babina e Tropojës. 

Fatos Mahmutaj

 Dosja në ngarkim në tij pas hetimit në Prokurorinë e Tropojës është transferuar për t'u gjykuar në Gjykatën e Tiranës për arsye sigurie, ndërsa dje i është nënshtruar procedurave të shortit elektronik në këtë institucion, ku është caktuar gjyqtari Kreshnik Omari për ta shqyrtuar atë. Ky gjyqtar pritet që në ditët në vazhdim, pasi të marrë në dorë dosjen të caktojë datën e parë të procesit. Hamdi Haklaj, i vetmi që ka mbetur gjallë nga djemtë e Muharrem Haklajt, një vit më parë u mor nën përgjegjësi penale për vrasjen e Halil Sali Hoxhës, vepër kjo e ndodhur në shkurt të vitit 1998. Dosja për vrasjen e Hoxhës u rihap pas nëntë vitesh, pasi ishte pezulluar për mungesë provash dhe autorësh që nga koha kur kishte ndodhur. Për rreth një vit, organi i akuzës i qytetit verior kreu hetime në mungesë të Haklajt, i cili prej më tepër se një viti ndodhet në Suedi, ku pak kohë më parë siguroi edhe azilin politik. Burime të hetimit pohojnë se, dosja në ngarkim të 70-vjeçarit Haklaj, përmban dëshmi, prova shkresore dhe shkencore dhe akte të ndryshme ekspertimi. Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës, një tjetër dosje, e transferuar nga Tropoja në ngarkim të Haklajt, ka mbetur pezull prej një viti, pasi organi i akuzës nuk paraqitet në proces, ndërsa i akuzuari ka fituar strehimin politik në Suedi. Burime nga procesi pohojnë se, organi i akuzës pretendon ta dërgojë dosjen për shqyrtim në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë të Faktit të qytetit Gothenburg të Suedisë, ku ndodhet aktualisht i pandehuri. Hamdi Haklaj, i lindur në Babinë të Tropojës më 15 mars 1938, është arrestuar më 13 mars të vitit të kaluar në qytetin Gothenburg të Suedisë, pasi sipas autoriteteve policore shqiptare ishte një nga 10 personat më të kërkuar nga Interpol Tirana. Madje, në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Brendshme, të asaj date thuhet se: "Hamdi Haklaj rezultonte person në kërkim, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tropojë, me vendim numër 18, datë 17 maj 2005, e shpalli atë fajtor për veprën penale të vrasjes, ngjarje e ndodhur më datë 10 qershor 2004, në orën 07:45, në vendin e quajtur 'Qafa e Rumikut' Tropojë". Ky pretendim i policisë u kundërshtua nga mbrojtësi i Haklajt dhe familjarët e tij, duke e argumentuar me faktin se, procesi për këtë vepër sapo kishte nisur të shqyrtohej në Gjykatën e Tiranës. Sipas Prokurorisë Haklaj, në shenjë hakmarrje për vrasjen e katër vëllezërve të tij Fatmir, Shkëlqim, Halil dhe Ylli Haklaj, i ka bërë pritë disa anëtarëve të fisit Hoxha. Në momentin e atentatit ndodheshin duke udhëtuar Ramë e Fatmira Hoxha, të cilët mbetën të vdekur, ndërkohë që shpëtuan mrekullisht Rexhep, Valmira, Servete, Zenel dhe Nafie Hoxha si dhe Adem Sadiku. Menjëherë pas krimit autori rezultoi të largohej në drejtim të paditur, duke u shpallur një nga personat më të kërkuar nga policia shqiptare.

Zyflie Haklaj
Në qytetin Gothenburg të Suedisë tashmë ndodhet edhe Zylfie Haklaj, motra e vogël e Hamdiut, ku u vetëdorëzua pak muaj më parë. Ajo u dënua me 25 vjet burg në mungesë nga Gjykata e Tiranës, pasi u gjet fajtore për vrasjen e Rasim Lumneshit dhe Ilir Gosturanit në vitin 2002. Edhe kjo sipas Prokurorisë, e ka kryer krimin në shenjë hakmarrje për vrasjen e katër vëllezërve të saj në vitet 1998-2002.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›