E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëlloi tri herë me thikë, lot në spital kur mëson plagosjen e nënës

TIRANE - Një ditë pasi qëlloi nënën e tij tri herë me thikë, Elvin Mejdani, 32-vjeçar edhe pse jo në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikike duket se është penduar për ngjarjen. 

Mjekët e Spitalit Ushtarak, kanë pohuar dje për gazetën "Panorama", se pacienti i tyre ka nisur të qajë menjëherë sapo ka mësuar se nëna e tij ishte e plagosur prej tij me thikë dhe si pasojë ishte në gjendje të rëndë. "Sapo mësoi se nëna e tij ishte në reanimacion dhe kishte marrë plagë të rënda, filloi të qante", pohoi një prej mjekëve që ka mbajtur nën kujdes Elvin Mejdanin pas mbërritjes së tij në spital. Që prej të dielës në mbrëmje, ai është dërguar në pavijonin e kirurgjisë në Spitalin Ushtarak dhe është sistemuar pranë dhomës nr.10. Pranë derës qëndron një punonjës policie i Drejtorisë së Tiranës, që është caktuar të ruajë 32-vjeçarin Mejdani, deri në shërimin e plotë prej plagës që pësoi në bark, pasi qëlloi veten me thikë. Ai është arrestuar nga policia për ngjarjen të dielën në banesën e tij, pranë rrugës së Elbasanit. Mejdani akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë me mjete prerëse". Kjo akuzë i është komunikuar atij nga oficerë të policisë së Drejtorisë së Tiranës, të cilët kanë kryer edhe hetimin e ngjarjes së rëndë të ndodhur në familjen Mejdani të dielën pasdite. Policia i ka komunikuar atij arrestin, por ndërkaq ai duhet t'i nënshtrohet një vizite mjeko-ligjore nga ekspertë neuropsikiatër. Sipas burimeve të policisë, shëndeti i tij mendor duhet verifikuar me qëllim saktësimin nëse Elvin Mejdani vuan nga ndonjë sëmundje mendore siç edhe dyshohet. Një shenjë të çekuilibrimit mendor, hetuesit e kanë vënë re kur i vetëplagosuri i është përgjigjur oficerëve të policisë, duke thënë se kur kishte qëlluar nënën e tij "ka qenë i rrethuar". "Na kishin qëlluar armiqtë dhe unë nuk doja të na kapnin prandaj qëllova atë dhe veten", ka thënë i arrestuari. Përgjigja duket se ka bërë që hetuesit të mos marrin gjithçka për bazë në deklarimet e tij. Nëna e plagosur, Katerina Mejdani, gjatë ditës së djeshme është mbajtur në reanimacion nën vëzhgimin e mjekëve. Ajo mësohet se ka treguar se i biri e kishte qëlluar me thikë kur ka qenë në gjumë. Ajo është zgjuar dhe ka dëgjuar të birin që thërriste "nënë do shërohesh", ndërsa e qëllonte me thikë. Gruaja e plagosur është telefonuar nga e motra, e cila ishte shqetësuar pas një telefonate të vajzës së Katerinës, që ishte merakosur pasi e ëma nuk i përgjigjej në telefon. "Jam shtrirë në divan më ka goditur djali me thikë dhe ka qëlluar veten, por nuk e shoh ku është", mësohet të ketë pohuar gruaja në telefon.                    d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›