E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha e Mediu, pakt për zgjedhjet, sulm prokurorisë

Prokuroria e Përgjithshme ka qenë dje objekti i sulmeve të Kryeministrit Berisha. Kreu i qeverisë, i mbështetur edhe nga republikani Mediu, ka shfrytëzuar momentin e nënshkrimit të marrëveshjes zgjedhore me PR-në, për të "shpalosur" strategjinë e minimizimit të kostos politike të Gërdecit, duke theksuar se prokuroria po bie nën kontrollin e njerëzve, të cilët duan ta kthejnë në parti politike. Kjo deklaratë ka ardhur pas pyetjes së bërë nga mediat, se cili ishte fryti i këtij bashkëpunimi në një kohë kur kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, është nën hetim penal për çështjen e Gërdecit. Berisha ka theksuar se ai nuk mund t‘i marrë kurrë si të mirëqena akuzat politike, që ka ngritur Prokuroria e Përgjithshme. Sipas Kryeministrit, prokuroria ka përdhosur të vdekurit me akuzat false që ka formuluar në fillim. "Unë, u shpreh Berisha, jam shprehur që në fillim se do të mbroj hetimin që po bëhet dhe jo individë të caktuar, por ka qenë Prokuroria e Përgjithshme që, me urdhra politikë, nisi të formulojë pseudoakuza". Për Kryeministrin, është e papranueshme të akuzosh tjetrin, pa fakte konkrete. "Na u tha në fillim se Mediu kishte shmangur ushtarakët, por kishte 32 dokumente dhe në asnjërin nuk doli se ai i kishte shmangur ata", u shpreh kreu i qeverisë. Duke vijuar sulmet e tij ndaj organit të akuzës, Kryeministri Berisha tha se "Prokuroria e Përgjithshme po i bën presion gjyqësorit". Kreu i qeverisë ka shprehur bindjen dhe besimin e tij se gjyqësori nuk do të bjerë pre e akuzave dhe presioneve politike. Për këtë presion politik, Berisha këtë herë nuk e ka vënë gishtin mbi opozitën. "Problemi nuk qëndron tek opozita, por te gjëra edhe më të thella, që bëhen për të devijuar një linjë të tërë që dikush ‘tjetër‘ të dalë i pastër në këtë çështje", deklaroi Berisha. Për kreun e qeverisë, problemi është gjetkë, sipas tij, kjo bëhet pasi "duhej devijuar një linjë e tërë që dikush të dilte komplet i larë. Ja shikoni, dokumentet e botuara në media. Por kur s‘ke besim te gjykata dhe shkon u bën presion, atëherë keqpërdor opozitën dhe median". Berisha theksoi edhe një herë se ai dhe mazhoranca ka besim të plotë te ky sistem gjyqësor, që është sot në vend, por ai nuk do të pranojë që të përdoren shpirtrat e të vdekurve për të bërë politikë. Ai ka theksuar se dosja në shtyp nuk po del nga opozita, por nga dikush tjetër. Për këtë, Berisha theksoi se "po të ishte për opozitën e telendisja unë, por, dosja po del nga ata që e keqpërdoren politikisht, që kanë frikë nga ligji dhe marrin e bëjnë mediatizime". Duke mos dashur të bëjë komente për emra të veçantë dhe duke rishprehur besimin e tij te sistemi i drejtësisë dhe konkretisht te gjyqësori, Berisha në fund të fjalës së tij tha se "për tragjedinë e Gërdecit, janë arrestuar tre persona, kurse ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është marrë i pandehur për çështjen, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën lidhur me rastin". Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, i cili në kohën e shpërthimit të Gërdecit ka qenë ministër i Mbrojtjes, i ka cilësuar akuzat e ngritura ndaj tij si politike dhe të montuara nga opozita. Ai nuk ka dashur të bëjë shumë komente të tjera, duke ia lënë tashmë çdo gjë në dorë gjykatës. Tragjedia e Gërdecit ndodhi një vit më parë dhe tashmë, pas hetimit të çështjes, organi i akuzës ka depozituar dosjen në gjykatë për të nisur hetimin e saj, i cili duket se nuk ka për të përfunduar deri pas zgjedhjeve të 28 qershorit.

Marrëveshja

Republikanët dhe demokratët, bashkë në zgjedhjet e 28 qershorit

Kryetari i PD-së dhe i PR-së lidhin "besën" për zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, kanë lidhur dje "besën" për zgjedhjet e 28 qershorit. Ata kanë nënshkruar një marrëveshje të përbërë nga tetë pika, ku bien dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral, në përputhje me Kodin Zgjedhor. PR-ja dhe PD-ja kanë rënë dakord për formimin e një koalicioni të përbashkët elektoral dhe regjistrimin e tyre në KQZ si subjekte përbërëse të një koalicioni zgjedhor në shkallë vendi, në përputhje me përcaktimet e Kodit Zgjedhor. Secila prej partive angazhohet për të mobilizuar të gjitha kapacitetet e saj në funksion të sigurimit të një mbështetjeje maksimale dhe fitores në zgjedhjet e 28 qershorit. Gjithashtu, secila parti do të angazhohet me kandidatët e vet për deputetë në secilën prej zonave elektorale, për të maksimalizuar votat e këtij koalicioni. Për përcaktimin dhe zbatimin e taktikave elektorale sa më efektive të koalicionit, në funksion të realizimit të bashkëpunimit për të maksimalizuar votat e koalicionit, të ngrihet grupi i përbashkët i punës, i cili do të funksionojë mbi bazën e një plan-veprimi dhe kalendari takimesh. Gjatë fushatës, secila parti do të ruajë profilin dhe identitetin e vet, por ato do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do të mbështesin njëra-tjetrën në të gjithë procesin elektoral dhe në komisionet zgjedhore, për të realizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Pas fitores së tyre në zgjedhjet e 28 qershorit, PD-ja dhe PR-ja angazhohen të zhvillojnë partneritetin në qeverisjen e ardhshme nëpërmjet bashkëpunimit për hartimin e një programi të përbashkët qeverisës, si dhe përfaqësim në poste politike të të gjithave niveleve qeverisëse të administratës publike, në një raport real dhe të plotë, në përputhje me peshën politike që do të konfirmojë secila nga këto parti në zgjedhje. Dy partitë bien dakord që në përputhje me parimet e kësaj marrëveshjeje, të ftojnë në koalicionin e tyre elektoral edhe parti të tjera aleate, të koalicionit qeverisës apo jashtë tij, me qëllim që ta kthejë fushatën e zgjedhjeve parlamentare në një fitore të rrugës së ndryshimit të një Shqipërie anëtare e NATO-s dhe evropiane. Më pas, si Berisha edhe Mediu, kanë shprehur vlerësimet e tyre maksimale për partitë respektive.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›