E Diel, 1 Nëntor 2026

Partitë kalojnë afatet për KZAZ-të

Partitë politike nuk kanë dorëzuar ende në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e anëtarëve të komisioneve zgjedhjeve të administrimit të zgjedhjeve. Bazuar në nenin përkatës të Kodit Zgjedhor, partitë politike që kanë të drejta të kenë anëtarë në KZAZ duhet të kishin dorëzuar listën e emrave që në datën 13 mars për t‘i dhënë kohë Komisionit Qendror që të përgatitej, pasi në datën 28 kjo strukturë e rëndësishme që përgatit zgjedhjet duhet të konstituohen. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, konfirmoi se momentalisht janë vetëm dy parti që kanë dorëzuar brenda afatit të caktuar listën e emrave, Partia Demokratike dhe Partia Socialdemokrate, ndërsa KQZ vijon të jetë në pritje të listës së partive të tjera për të vijuar me punën e saj. Paraprakisht, Komisioni Qendror ka shqyrtuar dhe miratuar projektvendimin për hedhjen e shortit, nga ana e këtij institucioni se kujt prej dy partive të mëdha i takon anëtari i shtatë i KZAZ-së. Do të ketë 12 Komisione Zgjedhore të Administrimit të Zgjedhjeve në të gjithë vendin, sipas qarqeve. Gjashtë prej tyre do të drejtohen nga Partia Demokratike dhe gjashtë KZAZ-të e tjera nga Partia Socialiste. Nga partitë e vogla, të drejtën për të pasur anëtarë e ka Partia Republikane dhe Partia Socialdemokrate. Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës miratoi modelin e regjistrimit të partive politike, kandidatëve, koalicioneve në këtë institucion. Sa i përket modelit të regjistrimit të partive politike joparlamentare u vendos që partitë në fjalë mund të mbledhin dhjetë mijë firmat e nevojshme në rang vendi pa u kufizuar në një zonë zgjedhore të caktuar.

Ditën e hënë pritet të zhvillohet një tjetër mbledhje, ku KQZ pritet të përcaktojë, përmes një udhëzimi rolin e policisë dhe ushtrisë ditën e zgjedhjeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›