E Diel, 1 Nëntor 2026

Edi Rama, vizitë tjetër në Tropojë

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, viziton për herë të dytë qytetin e Bajram Currit. Por ndryshe nga vizita e parë, në një ditë pranverë që i ka dhënë mundësi të shijojë bukuritë e zonës, këtë herë kreu i PS ka zgjedhur një ditë të ftohtë dimri me dëborë. Edhe pse moti e ka vështirësuar udhëtimin drejt Bajram Currit, Rama ka arritur

përmes linjës Koman-Fierzë, me një traget special, pak para mesditës. Në vizitën e tij të dytë në qytetin verior, kreu i PS udhëtoi drejt e në Barjam Curri pa u ndalur si një vit me parë në kullën e Mic Sokolit. Para së të zhvillonte takimin me vullnetarët dhe banorët e qytetit, Rama ka zhvilluar një shëtitje përreth qytetit.

Gjatë vizitës në qytet, ai është shoqëruar nga banorë edhe pse dëbora arrinte më shumë 30 cm. Ai është ndalur për të biseduar me kalimtarët apo pronarë dyqanesh që kanë dashur t‘i japin dorën, ndërsa qindra të tjerë e kanë ndjekur nga ballkonet e apartamenteve. Rreth mesditës, Rama zhvilloi takimin në Pallatin e Kulturës ku, gjatë një fjalimi prej më shumë se 30 minutash ka dhënë mesazhet e veta dhe të së majtës në pragun e zgjedhjeve të përgjithshme. Kryesocialisti foli për një ndryshim të ri që njerëzit duhet të sanksionojnë, pasi sipas tij, partitë kanë punuar për interesa të një kaste politike dhe jo për interesa të vendit.

Varfëria dhe lufta kundër saj ishte argumenti më i rëndësishëm i Ramës në Tropojë në mitingun me simpatizantë të PS-së. "Të varfër e lashë Tropojën para një viti kur e vizitova atë dhe më të varfër po e gjej sot", tha Rama gjatë fjalës së tij. Si shkak të kësaj varfërie ai përmendi papunësinë, mungesën e projekteve dhe mungesën e qartësisë për të shfrytëzuar potencialet minerare dhe turistike të zonës, largimin e krahut të punës jashtë vendit etj. Sipas Ramës, energjia e njerëzve të thjeshtë nuk duhej të keqpërdorej apo të mënjanohej në të ardhmen siç kishte ndodhur deri tani me qeveritë e këtij vendit. "Partitë politike dhe liderët e vjetër kanë tradhtuar me kohë interesat e njerëzve, interesat e familjeve tuaja, shtoi kreu i PS-së.

Sipas Ramës, Shqipëria ka potenciale intelektuale dhe menaxhuese për ta zhvilluar këtë vend ashtu siç kanë bërë vendet e tjera. Ndaj ai bëri thirrje për t‘u bashkuar me politikën e re në shërbim të gjithsecilit dhe jo vetëm të një kaste politikanësh dritëshkurtër. Pas takimit të përmendur, Rama është larguar përsëri me traget nga Fierza drejt Komanit e më pas drejt Tiranës me rrugë tokësore. Rrugën nga Fierza në Bajram Curri dhe anasjelltas, ai e ka bërë me makinë. Me gjithë reshjet e dëborës, aksi ka qenë i kalueshëm.

Tropoja është konsideruar nga media si bastion i së djathtës për shkakun se është vendlindja e Kryeministrit Sali Berisha, si dhe e disa personazhe të rëndësishme të PD-së. Ky është rasti i dytë që Rama si kryetar i PS-së shkon në Tropojë brenda një viti, ndërsa më herët vetëm Ilir Meta e ka vizituar Tropojën në vitin 2001, por edhe ky si Kryeministër. Vizita e kreut të PS-së në Tropojë ka ngjallur kureshtjen dhe vlerësimet e banorëve të zonës. Gjatë qëndrimit të shkurtër në Tropojë, si dhe në takimin e Pallatit të Kulturës ai asnjëherë nuk e ka lakuar emrin e Kryeministrit dhe as ka aluduar për të si Kryeministër siç bën në rrethe të tjera, por thjesht e ka ezauruar si "politikë të vjetër".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›