Islami: Qeveria ka fshehur numrin e personave pa pasaporta
Partia Socialiste publikoi dje shifra të ndryshme me qeverinë për sa u përket shtetasve që nuk kanë pasaportë dhe duhet të kenë prioritet të pajisen me karta identiteti. Veç të tjerash, PS i bëri edhe disa propozime që përmirësojnë dhe garantojnë ecurinë normale të procesit. Deputeti i Partisë Socialiste, njëherësh edhe nënkryetari i komisionit "ad hoc" për zgjedhjet, Kastriot Islami, deklaroi se realisht janë 1 milion shtetas pa pasaportë, ndërsa qeveria ka publikuar shifrën 730 mijë. Sipas Islamit, nga 1 milion shtetas pa pasaportë që nga 12 janari kanë aplikuar vetëm 120 mijë zgjedhës. "Mbeten rreth 880 mijë votues pa pasaportë për të aplikuar kur kanë mbetur edhe 60 ditë punë deri në 12 qershor 2009 pa përfshirë ditët e shtuna që pothuajse kudo nuk punohet", theksoi Islami. Ndërkohë, sipas tij, vetëm 36 mijë votues kanë marrë kartën e identitetit dhe ka shumë mundësi që numri i votuesve pa pasaportë që ka marrë kartën të mos jetë më i lartë se 10 mijë. Duke iu referuar ritmit të punës, Islami doli në përfundim se "nëse do të vazhdohet me këtë ritëm dhe këtë vullnet e paaftësi parashikohet që mbi 300 mijë zgjedhës do të mbeten të papajisur më kartë identiteti, pra nuk do të mund të votojnë". Islami theksoi se PS vazhdon të këmbëngulë për të pajisur falas të gjithë votuesit pa pasaportë që aplikojnë deri më 12 qershor, ndryshe penalizohen me pagesën e saj dyfish. Njëkohësisht, Islami në emër të PS-së vuri në pah se procesi i dhënies së kartave të identitetit po politizohet dhe po kthehet në një fenomen korruptiv. Ai tha se ka biznese që po marrin tenderë nga qeveria dhe kanë filluar në mënyrë të organizuar e selektive të paguajnë kartat për militantët e PD. Njëkohësisht, PS shtoi edhe disa propozimeve të reja pas nismës ligjore të pak ditëve më parë. Islami tha se duhet të saktësohet urgjentisht baza e të dhënave e të gjithë votuesve pa pasaportë ose kushdo që paraqitet dhe deklaron se nuk ka pasaportë të lejohet të aplikojë dhe të mbahet shënim emri i tij për të verifikuar saktësinë e deklarimit të tij. PS kërkoi njëkohësisht përmirësimin e disa kushteve teknike që lidhen me oraret dhe shtimin e ditëve për të aplikuar. Islami propozoi që orari i pikave ku bëhet aplikimi do jetë deri në orën 19, të punohet edhe ditën e shtunë dhe nëse është e nevojshme edhe ditën e diel. Një tjetër propozim është ai që të merren masa që të mos ndërpritet energjia dhe lidhja me internet apo aksesi në bazën e të dhënave, sepse kjo demotivon vajtjen sistematike të votuesve. Sa i përket kompanisë, Aleat me qeverinë, selia rozë kërkoi që të bëhet një analizë dhe një plan special veprimi për të garantuar pajisjen me kartë identiteti të çdo votuesi pa pasaportë dhe ky plan të bëhet publik, të ndërmerret një fushatë sensibilizuese për të lajmëruar e nxitur votuesit pasaportë të aplikojnë. Në propozimin e fundit, socialistët kërkuan që të jepet një informacion ditor nga kompania Aleat për të gjithë aplikimet, prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit për të gjithë votuesit pa pasaportë. Ndërsa disa ditë më parë, kryetari i PS-së, Rama, publikoi një nismë ligjore ku kërkohej që shtetasit pa pasaportë, meqë përbëjnë shtresën më të varfër të popullsisë t‘i marrin kartat falas.