E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me historinë, policia ndalon protestën e nxënësveNga TemaSkandali me tekstin e librit “Historia e Popullit Shqiptar 12”, ka bërë që nxënësit e shkollës “Çajupi” të braktisin mësimin për të protestuar. Por drejtuesit e shkollës dhe oficerët e

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Skandali me historinë, policia ndalon protestën e nxënësveNga Tema

Skandali me tekstin e librit “Historia e Popullit Shqiptar 12”, ka bërë që nxënësit e shkollës “Çajupi” të braktisin mësimin për të protestuar. Por drejtuesit e shkollës dhe oficerët e policisë nuk kanë lejuar zhvillimin e kësaj proteste dhe kanë shoqëruar në polici organizatorët. Nxënësit janë shprehur se drejtoria e shkollës u ka bërë shantazh dhe i ka detyruar që të hyjnë në shkollë, në të kundërt do t’i përjashtonin nga shkolla ose do t’u vinin nota të ulëta. Sipas nxënësve, teksti i Historisë duhet të ndryshojë dhe në të duhet të ketë vetëm fakte të vërteta dhe historike dhe jo politike.

Protesta

Nxënësit e shkollës “Çajupi” në kryeqytet, në bashkëpunim me organizatën “Rinia Aktive”, kanë braktisur mëngjesin e djeshëm mësimin, në shenjë proteste ndaj librit “Historia e Popullit Shqiptar 12”. Nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt nuk kanë pranuar që të hyjnë në shkollë, duke qëndruar në oborr. Ata kanë thënë se nuk do të hyjnë në mësim, nëse nuk do të ndryshohet teksti i historisë, i cili, sipas tyre, nuk paraqet fakte të vërteta, por politike. “Ne kërkojmë ndryshimin e tekstit të Historisë i cili është i politizuar”, - thanë nxënësit e shkollës. Por, e njoftuar për këtë protestë, drejtoria e shkollës ka ndërhyrë dhe nuk ka lejuar zhvillimin e saj. Drejtoria ka lajmëruar policinë, e cila ka shoqëruar në komisariat nxënësit organizatorë të protestës dhe ata të lëvizjes “Rinia Aktive”. Madje, ndaj kësaj të fundit, drejtoria e shkollës “Çajupi” ka depozituar në polici edhe një denoncim në polici, pasi, sipas saj, është cilësuar si nxitëse dhe organizatore e rebelimit të nxënësve të kësaj shkolle. “Pesë të rinj, përfaqësues të OJQ-ve, i kërkuan nxënësve të braktisin shkollën dhe të dalin me ta në protestë kundër problemeve që ka teksti. Ne nuk jemi njoftuar dhe nuk ka pasur asnjë ankesë nga ana e nxënësve për tekstin. Së dyti, nuk jemi njoftuar për një protestë të tillë që mund të organizohej përpara institucionit tonë. Së treti, nuk është ligjore që t’u bëhet thirrje nxënësve që të braktisin shkollën e të dalin në protestë”, - tha drejtoresha e shkollës, Albana Kosovrasti. Nxënësit e shkollës kanë deklaruar se ato janë kërcënuar nga ana e autoriteteve të drejtorisë së shkollës se, nëse nuk do të ktheheshin në mësim, do të përjashtoheshin nga shkolla ose do t’u uleshin notat. Kjo ka bërë që ata të kthehen në mësim dhe të ndërpresin grevën. Në protestë ka shkuar edhe deputeti i PS, Ilir Gjoni, i cili e ka cilësuar si të turpshëm veprimin e drejtorisë së shkollës, e cila ka denoncuar të rinjtë e lëvizjes “Rinia Aktive” për organizimin e protestës.

Teksti skandaloz

Maturantët këtë vit, përveç historisë së vendit tonë, do të mësojnë edhe për sekserin serb, Damir Fazlliç,i cili, sipas hartuesve të librit “Historia e Popullit Shqiptar 12”, është përdorur për luftë politike nga opozita socialiste ndaj kryeministrit Berisha. Në këtë libër ka zënë vend edhe çështja hetimore e rrugës Durrës-Kukës, me të akuzuar ish-ministrin e Transporteve, Lulzim Basha, i cili, sipas hartuesve të librit, është përdorur gjithashtu politikisht nga opozita. Përveç tyre, autorët e librit kanë shkruar edhe për kryeparlamentaren, Jozefina Topalli, e cila, sipas tyre, e ka bërë më aktive diplomacinë parlamentare, ndërsa përmenden edhe suksese të tjera të qeverisë Berisha. Në tekst trazirat e vitit 1997 cilësohen si një rebelim komunist, qeverisja e PS si korruptive, ndërsa ardhja e PD në pushtet në 2005 çeli një epokë të re për Shqipërinë. “Opozita, duke shfrytëzuar edhe të tatëpjetën që morën firmat piramidale në vendin tonë, arriti që të organizojë rebelimin komunist të vitit 1997 dhe brenda një kohe të shkurtër, u shpërthyen depot e armëve, u shthur rendi me pasoja dramatike. Vetëm një pjesë e vogël e vendit mbeti nën ndikimin e qeverisë. Në zgjedhjet e vitit 2001, përsëri në pushtet erdhën socialistët, nën drejtimin e Fatos Nanos, i cili u bë sërish kryeministër. Por vendin e përfshiu një valë e paparë korrupsioni, trafiku dhe një gjendje e madhe pasigurie, ndonëse Shqipëria kishte filluar rrugën drejt NATO-s dhe MSA (Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit) për në BE. Ekonomia ecte ngadalë. Biznesi nuk ecte me hapat e duhur. Kreditimi i ekonomisë nuk i përshtatej ende nevojave të zhvillimit. Kjo gjendje solli që në zgjedhjet e vitit 2005 të fitonte PD dhe të vinte sërish në pushtet Sali Berisha, i cili me projektet për luftën antikorrupsion, me flamurin e luftës kundër krimit të organizuar dhe me një program për zhvillimin e shpejtë ekonomik çeli një epokë të re zhvillimi për vendin tonë”, - thuhet në tekstin e historisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›