Gjykata e shpall të pafajshëm, Meta: Tentuan të më vrisnin me killera

Meta dje ne seline e LSI pas vendimit te gjykates se larte
Rrëzohet akuza për korrupsion dhe pretenca e Prokurorisë për dy vjet burg
Trupi gjykues, vendim 5-0
Fakti nuk provohet se ekziston. Kjo është fjalia thelbësore e vendimit me të cilin Gjykata e Lartë e deklaroi dje Ilir Metën të pafajshëm për akuzën e korrupsionit.
Ish-zv.kryeministri i hetuar për korrupsion pas publikimit të video-përgjimit të Dritan Priftit, u shpall i pafajshëm pas një vendimi unanim të pesë gjyqtarëve të Gjykatës e Lartë. Kolegji Penal që gjykoi ish-zv.krye-ministrin e deklaroi atë të pafajshëm, pasi e vlerësoi si të paprovuar akuzën e ngritur ndaj tij nga Prokuroria. Në këtë mënyrë, pas 21 seancash shqyrtimi gjyqësor të nisur në korrik të vitit të kaluar, i pandehuri Meta i mbylli hesapet e tij me Drejtësinë. Vendimi përfundimtar i Gjykatës ishte në pranim të kërkesës së avokatëve të Metës, të cilët në seancën e fundit kërkuan pafajësinë e klientit të tyre. Sipas avokatëve, fakti i pretenduar nga Prokuroria nuk ekzistonte. Prokuroria e Përgjithshme i mbështeti akuzat e saj për korrupsion ndaj Metës kryesisht në dëshminë e dhënë para gjykatës nga Dritan Prifti. Në dëshminë e tij Prifti pohoi se Meta i bënte presione të vazhdueshme dhe i kishte kërkuar favore të kundërligjshme. Në konkluzionet përfundimtare Prokuroria kërkoi deklarimin e fajshëm të Metës dhe dënimin e tij me 2 vjet burg e një milion lekë gjobë.
VENDIMI

Avokatët e Metës dje pas vendimit
Thuajse një vit pas publikimit të video-përgjimit që e vuri Metën nën akuzë për korrupsion, me një vendim të shprehur vetëm me dispozitiv, Kolegji Penal shpalli qëndrimin e tij unanim, pesë me zero, në deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta. Arsyetimi i vendimit ende nuk është zbardhur, por dihet që vetëm gjyqtari Ardian Dvorani ka pasur një vendim paralel, fakt i pohuar dje gjatë shpalljes së vendimit. Kjo do të thotë që gjyqtari Dvorani është dakord me pafajësinë, por ka një mendim të kundërt me gjyqtarët e tjerë në formën e arsyetimit. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë, e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288, pika 1, shkronja a të Kodit të Procedurës Penale, thuhej në vendim. Në të njëjtin vendim, Gjykata e lartë urdhëronte dorëzimin të provave materiale Prokurorisë, të cilat u shqyrtuan për llogari të gjykimit. Urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: orë mikrokamer, kabllo USB, lap-top dhe USB, citohej në diapozitivin e vendimit. Në lidhje me shpenzimet procedurale, pas pafajësisë së të pandehurit në proces, ato iu ngarkuan shtetit. Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3 592 938 lekë, i ngarkohen shtetit, thuhej në vendim.
VONESA
Në seancën e parafundit të këtij procesi, Kolegji Penal, pasi deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe tërheqjen në dhomën e këshillimit, caktoi datën 16 janar, ora 13:00, si seancë ku do të shpallej vendimi. Ora 13:00 e ditës së djeshme i gjeti avokatët e Metës dhe prokurorët e çështjes në bankat përkatëse në sallën e gjyqit, si edhe një publik të tejmbushur me përfaqësues të medias apo mbështetës së ish-zv.kryeministrit Meta. Vetë i pandehuri Meta nuk ndodhej në sallë. Njëkohësisht në sallë vihej re edhe prania e vëzhguesve të misioneve të huaja që asistojnë Drejtësinë shqiptare, përfaqësues të Ambasadës Amerikanë, si edhe përfaqësues të OSBE-së. Ndonëse ora e paralajmëruar kaloi, vetëm Kolegji Penal nuk po dukej në sallë. I vetmi informacion, i siguruar jo zyrtarisht, ishte se Kolegji ndodhej në dhomën e këshillimit. Pritja dhe situata në gjendje pezull zgjati jo pak, pasi trupi gjykues u fut në sallë vetëm në orën 15:25.
Vendimi i gjykatës së Lartë
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, për çështjen vendosi:
1. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ilir Meta për akuzën e kryerjes së veprës penale të korrupsionit aktiv të funksionarit të lartë shtetëror ose të të zgjedhurve vendorë, e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal, pasi fakti nuk provohet se ekziston, bazuar në nenin 288, pika 1, shkronja a të Kodit të Procedurës Penale.
2. Në bazë të nenit 190 të KPP, urdhërohet dorëzimi organit të Prokurorisë të provave materiale vijuese: Orë mikrokamer, kabllo USB, lap-top dhe USB.
3. Shpenzimet procedurale penale, duke përfshirë shpërblimin dhe shpenzimet e kryera për aktin e ekspertimit gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor në vlerën 3 592 938 lekë, i ngarkohen shtetit.
Video-përgjimi
Prova më e fortë me të cilën Prokuroria shkoi në Gjykatën e Lartë me dosjen e Ilir Metës, ishte videoja e regjistruar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Kjo video ishte cilësuar e rregullt nga një specialist amerikan, i cili e verifikoi regjistrimin me kërkesë të Prokurorisë në hetimet paraprake. Gjatë shqyrtimit të dosjes në Gjykatën e Lartë, pasi avokatët e Metës kërkuan shqyrtim gjyqësor dhe nuk bënë kërkesa procedurale, gjykata rrëzoi ekspertizën amerikane dhe thirri tre specialistë shqiptarë. Pasi e verifikuan videon, ata e cilësuan atë si joorigjinale dhe me mundësi të mëdha ndërhyrjeje, duke e nxjerrë kështu si provë të pavlefshme.
Meta luajti tenis mëngjesin e vendimit
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, pothuaj gjatë gjithë paradites së djeshme ishte në zyrat qendrore të LSI-së, nën shoqërinë e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Rreth orës 12:30, në seli mbërritën dhe shumë të rinj, anëtarë të forumit rinor të LRI-së, jo vetëm nga Tirana, por dhe nga qytetet e tjera të vendit. Gjatë gjithë kohës që pesë anëtarët e Gjykatës së Lartë ishin mbledhur dhe pritej të bëhej publik vendimi i marrë, të rinjtë hidhnin thirrje mbështetjeje për kreun e LSI-së, Ilir Meta. Pas shpalljes së vendimit, situata në selinë e LSI-së u kthye në festive, ndërsa një e nga një nisën të mbërrinin dhe anëtarë të tjerë të Kryesisë së kësaj force politike, që punojnë në dikastere të larta të qeverisë. Kjo situatë u qetësua pas deklaratës së Metës, i cili falënderoi të rinjtë dhe të gjithë anëtarët e LSI-së për mbështetjen e dhënë.
Meta: U tentua eliminimi im fizik me killera
Prokurorja Ina Rama festoi Krishtlindjet me liderin më të rëndësishëm të opozitës