Berisha e Topalli, karrike të reja me fron mbretëror në Parlament
bledar hotiKuvendi e nis seancën e jashtëzakonshme me një risi për vendet kur ulen kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kryeministri Sali Berisha. Dy karrige krejt të veçanta me "fron mbretëror", ndryshe nga ato që mbajnë ministrat dhe deputetët e thjeshtë kanë tërhequr dje vëmendjen, në cilën ishin vendosur vetëm për dy përfaqësuesit e të zgjedhurve më votë nga populli. Deputetët kanë qenë të surprizuar nga prezenca e dy karrigeve të veçanta. Madje ministri i shtetit, Genc Pollo ka tentuar të ulet në atë karrige speciale, por është frenuar me anë të një batute nga vetë Topalli, duke lënë të nënkuptojë se në atë vend shefi i Qeverisë. "Kolltukët" e veçantë të vendosur në mënyrë të njëtrajtshme, poshtë njëra-tjetrës, i përkisnin pikërisht dy figurave kryesore që drejtojnë shtetin shqiptar dhe Partinë Demokratike, Sali Berishës dhe Jozefina Topallit. Burime pranë Kuvendit bënë të ditur se këto dy karrige të veçanta janë blerë nga punonjësit e administratës në shtetin fqinj, Kosovë. Arsyet e blerjes së karrigeve lidhen me modelet që kanë parlamentet e vendeve të tjera të Bashkimit Evropian, si Italia, Franca, ku karriget e drejtuesve të këtyre institucioneve janë krejt të veçanta nga deputetët e tjerë. Sipas burimeve nga Kuvendi, mësohet se është gjatë vizitave zyrtare që vetë Topalli ka pasur në parlamentet e shteteve të ndryshme ka konstatuar arredimin e ndryshëm për kreun e Kuvendit dhe Kryeministrin. Modeli, karrigia speciale e pushtetit të sovranit është huazuar pikërisht nga Parlamenti shqiptar, duke bërë që ai të pasqyrohet, jo vetëm te posti i kryeparlamentares Topalli, por edhe në atë kryeministrit Berisha, kjo mbase për të shmangur ndonjë pakënaqësi apo rivalitet ndërmjet dy përfaqësuesve të maxhorancës. Karrigia ka një stil të veçantë punimi, pjesa lart është e punuar me dru të posaçëm special, që nga gdhendja i ngjan si i stilit "barrok". Ndërsa pjesa tjetër është me lëkurë ngjyrë të zezë. Administrata e Kuvendit, sipas burimeve, ka blerë në një panair të Kosovës, karriget e posaçme, së bashku me një tavolinë, e cila do të jetë pjesë e punës së drejtuesit të seancës, kryeparlamentarit. Mësohet se tavolina e veçantë, e blerë së bashku me dy karriget e vetme, për të cilat ende nuk ka një çmim për vlerën e tyre, do të vendoset në seancat e ardhshme. Në vitin 2005, me ardhjen në pushtet të PD-së u ndryshua fillimisht dhe ambienti i brendshëm. Kështu si fillim u ndryshua vendosja e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe më pas u blenë edhe karriget e reja për deputetët e Kuvendit. Të 140 karriget e posaçme të deputetëve u porositë në Shqipëri në një firmë e njohur shqiptare për prodhimin e këtyre mjeteve. Më pas në kohë u ndryshua pjesa e përparme, duke ndryshuar ngjyrën e copës që mbulon fasadën e përparme nga të kuqe në argjende.