Shkodër, rinis mësimi pas 2 javësh në zonat e përmbytura
SHKODER - Pas dy javësh rinis shkolla në pjesën më të madhe të rrethit të Shkodrës. Hapja e institucioneve shkollore duket se ka rikthyer normalitetin e munguar që prej 2 janarit në veri të vendit, si pasojë e katastrofës natyrore. Të vetmet zona kur nuk janë hapur dyert e shkollave janë: komuna Dajç, Oboti dhe Mali i Jushit. Me praninë e ujit në këto zona, infrastruktura e shkollave si dhe lëvizshmëria e fëmijëve për të ndjekur normalisht procesin mësimor në këto shkolla, është e kufizuar. Kjo gjë ka bërë që inspektorë të Drejtorisë Arsimore të Shkodrës dhe specialistë të Ministrisë së Arsimit të inspektojnë këto shkolla, për t'u përgatitur për të hënën e ardhshme. Në zonën e Velipojës më shumë se 50 % e numrit të nxënësve kanë marrë pjesë në procesin e rifillimit të mësimit. "Komuna e Velipojës nuk ka problem në zonat brenda saj, prandaj edhe në ditët në vazhdim numri i nxënësve që do të frekuentojnë shkollën do të jetë në rritje", pohojnë drejtuesit e Arsimit në Shkodër. I vetmi problem për komunën është lidhja me qytetin e Shkodrës, e cila bëhet vetëm me kamionë. Dje ka nisur mësimi dhe në shkollat profesionale të Shkodrës, pas lirimit të konvikteve nga familjet që u evakuuan. "Tani që niveli i ujërave sa vjen e po zvogëlohet, e gjithë vëmendja e Shtabit të emergjencave të qarkut Shkodër po përqendrohet në normalizimin e jetës në këto zona", Kështu ka pohuar prefekti i Qarkut Shkodër Maxhid Cungu, njëkohësisht kryetari i Shtabit të Emergjencave në qark. Sipas tij, sipërfaqja e tokës së përmbytur ka rënë në 5499 hektarë, në 623 shtëpi me praninë e ujit nga ku 480 janë të rrethuara nga uji. Forcat e ushtrisë dhe të vendeve fqinjë të ardhura në ndihmë të Shtabit të Emergjencës po punojnë për përforcimin e argjinaturave të dëmtuara gjatë përmbytjeve në zonën e Dajçit, Ana e Malit, Bushatit dhe Velipojës. Deputetët e PD japin nga 50 mijë lekë për përmbytjetGrupi Parlamentar i PD-së mori vendim që të gjithë deputetët të japin nga 50 mijë lekë të reja nga rrogat e tyre mujore, për t'i ardhur në ndihmë familjeve të prekura nga përmbytjet në Shkodër. Këtë e bëri të ditur dje në një konferencë për mediat, kreu i grupit parlamentar, Astrit Patozi. "Grupi parlamentar i Partisë Demokratike vendosi sot që çdo deputet i tij të kontribuojë me 500 mijë lekë nga paga e vet, si ndihmë për të prekurit nga përmbytja e këtyre ditëve në qarkun e Shkodrës. Propozimi u bë nga një grup deputetësh dhe ai u miratua me unanimitet", tha kreu i grupit Astrit Patozi.Topalli: Rama me mendje të sëmurë"Dje, Ai (Rama) me një montazh filmik i tregoi shqiptarëve hartën e zonave të përmbytura nga uji. Ngjyra e ujit nuk ishte blu, por ngjyrë e kuqe, gjaku. Vetëm një mendje e sëmurë mund të pikturonte ashtu zonën e Shkodrës. Dikush tha se 2,6 miliard m³ ujë nuk janë nga Zoti por nga robi. Kur e dëgjova për herë të parë thashë, është lajthitje. Kur e dëgjova herën e dytë thashë është papërgjegjësi. Sot i them atij se ke kapërcyer të gjithë kufijtë. Je jashtë frymës, jashtë njerëzores, je jashtë racionales, je jashtë çdo morali".Basha: Aktualisht vetëm 5430 ha në ujëMinistri i Brendshëm, Lulzim Basha ka bërë një ekspoze të punës së kryer që me ndërhyrjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave në përballimin e situatës së krijuar nga përmbytjet. Sipas tij ka pasur ndihma nga ana e vendeve të BE-së dhe NATO-s, si dhe Kosova. "Situata sot në rreth e Shkodrës sot paraqitet si më poshtë: sipërfaqe e përmbytur 5430 ha, shtëpi të rrethuar nga uji janë 1103 gjithsej dhe janë 1825 banorë të mbetur në evakuim", tha Basha, ka qenë dhe kryetari i Komitetit Ndërministror të Emergjencave.