E Diel, 1 Nëntor 2026

“Lordi i luftës” pranon fajin, dënohet me 4 vjet burg



MAJAMI – Afera e shitjes së municioneve kineze që ndodheshin në depot e ushtrisë shqiptare për forcat afgane i ka kushtuar të të ashtuquajturit “lordi i luftës” 4 vjet burg. Gjykata e Floridës dha vendimin dy ditë më parë, duke e detyruar Efraim Diverolin që të mbyllet në qelitë e burgut federal. Para dhënies së vendimit, një mjek bëri testimin për gjendjen mendore dhe problemet e shkaktuara nga përdorimi i drogës prej djaloshit që tronditi Uashingtonin me kontratën e majme që lidhi me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes. Pronari i kompanisë së armëve “AEY” dhe nënshkruesi i një kontrate 300 milionë dollarëshe municionesh me Pentagonin, ka pranuar fajin e bërë dhe ka marrë ndëshkimin ligjor. Gjykatësja Joan Lenard ia njohu meritën e pranimit të krimit, duke qenë se Diveroli u deklarua fajtor në 2009-n për akuzën e mashtrimit. Por, Lenard shtoi se ai e meritonte një qëndrim të mirë në burg për faktin se skema e tij mund të vinte në rrezik jetët e ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë. Një pjesë e mirë e municioneve ishin dhjetëravjeçare e me të gjitha gjasat, edhe të skaduara.

Historia
Emri i Diverolit është i njohur në Shqipëri pikërisht si ai i pronarit të firmës që merrte municionet nga Gërdeci. Fishekët kinezë që ai ia dërgonte nga vendi ynë ushtrisë amerikane në Afganistan duke u falsifikuar origjinën, çuan në arrestimin e tij në 2008-n. Si të mos mjaftonte kjo, Diveroli do të regjistrohej edhe në bisedë me një agjent të infiltruar që i ofroi ndërmjetësim për një kontratë armësh nga një fabrikë në Korenë e Jugut në drejtim të Shteteve të Bashkuara. 25-vjeçari dëgjohej aty, veç të tjerash, duke u mburrur për shkeljen e statusit si i pandehur në pritje të dënimit. Diveroli rrëfente një herë se kishte qenë për qitje në poligon me një mikun e tij e përmendte edhe një gjueti aligatorësh dhe derrash të egër në një zonë jashtë qarkut federal jugor të Floridës, ku kishte rënë dakord të qëndronte i lirë, si pjesë e kushteve të tij. Në sallën e gjyqit, të mbushur plot, gjykatësja Lenard tha se “është për të ardhur keq që dikush merr pjesë në një mashtrim të tillë në kurriz të njerëzve që vënë jetët në rrezik për të mirën e vendit të tyre. Dhe e gjithë kjo bëhet për para”, - vazhdoi ajo.

Reagimi
Vetë Diveroli u shpreh se kontrata e majme i ra në dorë kur ishte tepër i ri në moshë. “Asgjë nuk ka vlerë përpara vuajtjeve që i kanë shkaktuar familjes sime veprimet e mia”, - ka thënë ai. Veç dënimit, Lenard vendosi edhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh dhe i kërkoi Diverolit e bashkëfajtorëve të vet t’i paguajnë qeverisë amerikane 149 mijë dollarë dëmshpërblim. Kontrata e Pentagonit me AEY-në, e dhënë në 2007-n, ndalonte në mënyrë specifike municionet nga Kina komuniste, municione të cilat Diveroli e të tjerët thjesht i ripaketonin e i bënin të dukeshin sikur vinin nga Shqipëria.
Historia e shitjes së municioneve ka nisur shumë kohë para se të ndodhte tragjedia në Gërdec, më 15 mars 2008, e cila u shkaktoi jetën 28 personave dhe mbi 300 të tjerë mbetën të lënduar. Fillimisht ishte gazeta amerikane “The New York Times” që zbuloi skandalin përmes një investigimi që përfshiu disa vende të botës, për shitjen e municioneve për strukturat afgane të rendit dhe të sigurisë. Më vonë, biznesmeni Kosta Trebicka denoncoi aferën pak javë pas shpërthimit në fabrikën e demontimit në Vorë, gjë që u hapi rrugë hetimeve edhe në Shqipëri. Të paktën 28 persona, biznesmenë dhe drejtues të Forcave të Armatosura dhe të MEICO-s, u vunë nën hetim. Ndërsa kreu i AEY-së, Efraim Diveroli, u dënua pas një procesi gjyqësor që shkoi në rreth 2.5 vjet, në Shqipëri, seancat gjyqësore ndaj personave të vënë nën akuzë shtyhen në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandehurit kërkojnë lirim për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Kapet superhajduti i Sarandës

SARANDË - Policia ka arritur të arrestojë një prej autorëve të disa grabitjeve në qytetin e Sarandës, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori tjetër. 31-vjeçari Alin Zeneli, nga fshati Gjashtë, është arrestuar mbrëmjen e së hënës teksa po qarkullonte me automjetin tip “Mercedez Benz” me targë DR 27 75 A. Burimet policore bëjnë të ditur se është shpallur në kërkim policor edhe Mentor Bejko, 33 vjeç. Dy të rinjtë rezultonin në listën e të kërkuarve nga policia, pasi rezultonin si autorët në një seri grabitjesh të kryera kohët e fundit, por edhe disa vite më parë. Sipas policisë, dy grabitësit kishin arritur të kryenin edhe 7 grabitje në natë, ndërsa pak vite më parë ishin arrestuar për grabitjen dhe dhunimin fizik të një turisti gjerman. Gjatë kontrollit në banesat e tyre janë gjetur mjaft sende të grabitura në banesa dhe biznese, si dhe armë të ftohta e municione luftarake. Ndaj dy të rinjve rëndojnë 5 akuza, si: “grabitje në bashkëpunim”, “mosbindje e urdhrit të policisë”, “kundërshtim i punonjësit të policisë”, “mbajtje pa leje të armëve të ftohta” dhe “mbajtje pa leje të municionit luftarak”.

U vënë flakën makinave në garazh, vjedhin 15 milionë lekë në shtëpi

LUSHNJË – Disa persona ende të paidentifikuar kanë arritur të vjedhin 15 milionë lekë në fshatin Çermë e Sipërme të Lushnjës me anë të një skeme kriminale të mirëpërgatitur. Policia ka bërë me dije se autorët e supergrabitjes u kanë vënë zjarrin dy automjeteve të shtetasit Bashkim M., makina me të dhëna si më poshtë: “Ford” me targë LU 02-73 C dhe “Opel”, pa targa. Sapo kanë parë flakën në makinat që ndodheshin në parking, anëtarët e familjes kanë dalë nga banesa duke shkuar me vrap të shuajnë zjarrin, por në këtë kohë grabitësit kanë hyrë në banesë dhe kanë marrë kasafortën me 15 milionë lekë. Policia tha se autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar, por gjatë verifikimeve u gjet kasaforta 500 metra larg banesës së personave që u grabitën. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja është klasifikuar si vjedhje dhe shkatërrim prone përmes zjarrit.

Zbulohet banda e grabitjes së Golf-eve, njëri në pranga, tjetri në kërkim

TIRANË - Asgjësohet një grup i vjedhjes së makinave gjermane “Golf”. Falë bashkëpunimit të Policisë së qarkut të Tiranës me atë të Dibrës u bë i mundur arrestimi i shtetasit Klodian Nelaj, 20 vjeç, banues në Burrel, si dhe u bë shpallja në kërkim policor e bashkëqytetarit të tij, bashkëpunëtor në grabitje, Enri Premçi, 23 vjeç.
Burimet zyrtare të Policisë së qarkut Tiranë bënë të ditur dje se mbrëmjen e së hënës u finalizua operacioni i koduar me emrin “Volkswagen”. Dy shtetasit e mësipërm dyshohet se më datë 30 dhjetor 2010, në Tiranë, kanë vjedhur automjetin tip “Golf”, në pronësi të një shtetasi. Pas vjedhjes së këtij automjeti dyshohet se Klodian Nelaj, në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij (tashmë të identifikuar dhe të shpallur në kërkim), kanë kryer një vjedhje me armë në qytetin e Burrelit. "Nga hetimi rezulton, e provuar, se këta shtetas janë autorë të disa vjedhjeve të automjeteve në Tiranë, duke u dokumentuar tërësisht implikimi i tyre”, - thonë burimet zyrtare të Policisë së kryeqytetit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Golf 2” me targë DR 0511 D, i cili ndodhet në Komisariatin e Policisë Burrel. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të dy të rinjve i kaluan Prokurorisë për konsumim të veprës penale të “vjedhjes e realizuar në bashkëpunim”.

VJEDHJET E MJETEVE

- Më datë 12.01.2010, në Spitalin Ushtarak Tiranë dyshohet se kanë vjedhur mjetin tip “Golf 3” me targë TR 6948 N, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 27.05.2010, në rrugën “Pandi Dardha”, kanë vjedhur mjetin tip “Golf 2”, me targë TR 1722 H, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 22.10.2010, në rrugën “Don Bosko”, kanë vjedhur mjetin tip “Golf 2”, me targë VL 1494 B, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 18.10.2010, te “Piaca”, kanë vjedhur mjetin tip “Golf 2”, me targë TR 5124 G, në pronësi të një shtetasi.
- Më datë 20.12.2010, në rrugën “Bardhok Biba”, kanë vjedhur mjetin tip “Golf 2”, me targë TR 3334 G, në pronësi të një shtetasi.

5 Janar 2011

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›