Goditi nxënësin, rrihet në oborrin e shkollës mësuesi
BULQIZE/ HASAN PASHA
Rrihet në oborrin e shkollës mësuesi i anglishtes. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, kur para ambienteve të shkollës 9-vjeçare të Bulqizës “Shefqet Tançi”, mësuesi i lëndës së anglishtes, Sajmir Tuci, 26 vjeç është dhunuar nga familjarët e një nxënësi. Këtë fakt e bën të ditur policia e Bulqizës, e cila sqaron se pas hetimit janë zbardhur dhe rrethanat e këtij incidenti të rëndë, vetëm tre ditë pas nisjes së vitit të ri shkollor. Sipas tyre, rezulton se mësuesi i gjuhës së huaj ka fyer e goditur një nxënës të klasës së gjashtë, gjatë lëndës së tij, e cila zhvillohej ditën e martë. Një ditë më vonë, njerëz të afërm të nxënësit kanë kërkuar të ballafaqohen me mësuesin e gjuhës së huaj. Fillimisht i kanë kërkuar llogari pse e ka etiketuar fëmijën e tyre “cung” dhe më pastaj pse e ka goditur. Mësuesi në fjalë është përpjekur të justifikohet, por mbi të kanë vërshuar grushte e shkelma. Autorët janë larguar, ndërsa në shkollë është vënë alarmi nga arsimtarët e tjerë e nxënësit e shkollës 9-vjeçare. Mësuesi i ri është dërguar me urgjencë në spitalin e Bulqizës ku mjekët thanë se Tuci ka pësuar frakturë në nofullën e majtë dhe vazhdon t’i nënshtrohet një kurimi intensiv. Ndërkohë, policia lokale është vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes. Sipas dëshmisë së dhënë nga i lënduari ata janë dy të rinj, të afërm të djalit 12-vjeçar. Fillimisht, pas marrjes së njoftimit për dhunimin e 26-vjeçarit, policia hodhi dyshimet për ndonjë incident që kishte lidhje me detyrën që ka mbajtur më parë i ati i tij, ish-drejtor i Arsimit në rreth. Por, hetimet e kryera dhe dëshmia e vetë mësuesit të anglishtes zbardhi ngjarjen e rëndë. Dhunimi i një arsimtari shënon rastin e parë që nga nisja e vitit të ri shkollor jo vetëm në rrethin e Bulqizës, por në të gjithë vendin. Sipas policisë, dy personat janë shpallur në kërkim, me akuzën e dhunës për shkak të detyrës që mban i lënduari.