E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha emëron Gumin në vend të Duros



Duro dorëhiqet nga posti i ministrit të Punës

Hoti zëvendëson Gumin tek Drejtësia

Aleanca e re e PBDNJ-së me PS-në detyroi dje Kryeministrin Sali Berisha të bëjë ndryshime në stafin qeveritar. Pasi z. Anastas Duro i paraqiti dorëheqjen nga ky post paraditen e djeshme, kreu i qeverisë emëroi në vend të tij, z.Viktor Gumi. Kryeministri priti në zyrë ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, z. Anastas Duro, i cili, duke i shprehur Kryeministrit Berisha vlerësimin për bashkëpunimin me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare, paraqiti dorëheqjen e tij me argumentin se Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut u shkëput nga koalicioni qeveritar duke bërë aleancë me të majtën. Zëdhënësja e Kryeministrit bëri të ditur se z. Berisha falënderoi z. Anastas Duro për bashkëpunimin dhe angazhimin e tij si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe pranoi dorëheqjen e tij nga ky post. Por i menjëhershëm ishte dhe propozimi për postin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, zëvendësministrin aktual të Drejtësisë, z. Viktor Gumi. Ky i fundit është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, si dhe është lektor në Shkollën e Magjistraturës dhe në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Është anëtar i Bordit të Shkollës së Magjistraturës. Po dje, Kryeministri Berisha plotësoi vendin vakant të Viktor Gumit në Ministrinë e Drejtësisë. Z. Berisha i propozoi Këshillit të Ministrave emërimin e Doktores së Shkencave Juridike, pedagoge pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës, zonjës Paulina Hoti, në detyrën e zv.ministres së Drejtësisë. Lëvizjet e fundit në qeveri u diktuan prej largimit të PBDNJ-së nga koalicioni qeverisës, parti e cila përfaqësohej në kabinetin aktual me ministrin Anastas Duro. Pak çaste pas dorëheqjes, z. Duro informoi: "Si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, që kam qenë përfaqësues i kësaj partie në qeverinë e z. Berisha, nuk shkon të vazhdoj me këtë funksion dhe si rrjedhim, i paraqita Kryeministrit të Republikës, Sali Berisha, propozimin për dorëheqjen time si anëtar i kësaj partie, në zbatim të parimeve të demokracisë. Jam i detyruar që t’i bindem shumicës së vendimit të kësaj partie", - deklaroi z. Duro. Ministri Duro erdhi në këtë post pas shkarkimit të paraardhësit të tij, Kosta Barka, me kërkesë të kreut të PBDNJ-së. Kjo parti ka qenë në bashkëqeverisje me Partinë Demokratike fill pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kohë prej së cilës Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta është drejtuar nga kjo parti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›