Sondazhi i “Gani Bobit”, zgjedhjet i fiton PD-ja
PD me 46.6%, PS me 42.1%
8.1% e votuesve ende nuk kanë vendosur
Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Partia Demokratike do të ishte fituesja e tyre. Instituti “Gani Bobi” publikoi dje të dhënat e mbledhura në muajin prill, nga ku rezultoi se Partia Demokratike do të fitonte me 46.6 për qind të votave, e ndjekur nga PS-ja me 4.5 për qind më pak ose 42.1 për qind. Në këtë sondazh, të bërë me anketime në të gjithë vendin, kanë dhënë mendimin e tyre 1400 qytetarë. Drejtuesi i institutit “Gani Bobi”, Shkëlqen Maliqi, tha dje në prezantimin e sondazhit se 18.5 për qind e qytetarëve nuk pranuan të shprehnin votën. Sipas tij, mes të refuzuesve, ka 8.1 për qind të totalit të qytetarëve të cilët ende nuk kanë vendosur se për këtë do të votojnë.
Sondazhi
Sipas të dhënave të këtij sondazhi, i cili është zhvilluar në javën e tretë të muajit prill, rezulton se Partia Demokratike ka një rritje të mbështetësve si dhe ka thelluar diferencën me Partinë Socialiste. Me 4.5 për qind diferencë, Partia Demokratike, sipas sondazheve të “Gani Bonit”, është në pikat më të larta të saj. Ndërkohë, Partia Socialiste vazhdon të jetë në të njëjtat ritme, duke mos rritur numrin e mbështetësve në publik. Në rast se bëhet një krahasim me muajin mars, PS-ja ka humbur 0.4 për qind të mbështetësve.
Krahasimi
Në rast se bëjmë një krahasim me sondazhin e muajit mars, del se PD-ja ka një rritje të saj, ndërsa PS-ja ka një tkurrje. Sipas të dhënave të muajit mars, PD-ja fitonte zgjedhjet me një rezultat prej 3.1 për qind më shumë. Rezultati i muajit mars tregoi PD-ja do të fitonte 45.6 për qind, ndërsa PS-ja do të merrte 42.5 për qind. Po të bëhet krahasimi me muajin prill, del se PD-ja ka një rritje me 1 për qind të votave, ndërsa PS-ja është tkurrur me 0.4 për qind. Muaji prill ka qenë i fortë nga pikëpamja e bërjes së fushatave, pasi Partia Demokratike ka pasur disa suksese në ekzekutiv dhe fushatë të gjerë, ndërsa PS-aj nxori se ka një program, pavarësisht se publikimi i tij ende nuk është bërë. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që qytetarët kanë penalizuar PS-në, e cila po tkurret. Sipas këtyre sondazheve, në dy muajit e fundit, mars dhe prill, shihet se PD-ja po rrit në mënyrë të ndjeshme mbështetësit e saj, ndërsa e kundërta po ndodh me partinë më të madhe të opozitës.
Të vegjlit
Sondazhi i muajit prill ka qenë interesant edhe për partitë e vogla. Kështu, sipas këtij sondazhi, në muajin prill, LSI-ja do të kishte 6.2 për qind të votave, G99-a do të kishte 2.9, ndërsa të gjitha partitë e tjera do të kishin së bashku 2.2 për qind. Ajo që vihet re është se LSI-ja nuk ka lëvizur fare në krahasim me muajin mars. Të dhënat e muajit mars tregojnë se LSI plus PSV’91 do të merrnin së bashku jo më shumë 6.2 për qind, G99 do të merrte 2.3 për qind, PR-ja 1 për qind, PBDNJ-ja 1.1 për qind, ndërsa të gjitha partitë e tjera bashkë, 1.3 për qind. Sondazhi tregon se partitë e tjera të vogla kanë humbur mbështetje. Njëkohësisht sondazhi tregoi dje se problemet kryesore të shqiptarëve janë ende ato ekonomike, ndërsa probleme të tilla si energjia, nuk është më shqetësim i qytetarëve ndonëse pak vite më parë ishte nga më të kuotuarat.
Standardi i jetesës
Sondazhi i publikuar dje ka pyetur qytetarët në lidhje me standardin e jetesës. Qytetarët janë pyetur në rast se kanë përmirësuar jetesën e tyre gjatë këtyre katër viteve. Pjesa e madhe e qytetarëve janë shprehur se ka ndryshuar niveli i jetesës së tyre, ndërkohë që një pjesë e madhe janë shprehur se ka qëndruar në të njëjtat nivele dhe një pjesë tjetër shprehen se është përkeqësuar. Një tjetër detaj është se shqiptarët janë optimistë për të ardhmen. Sondazhi ka pyetur qytetarët në rast se do të ketë rritje të jetesës në katër vitet e ardhshme dhe 54 për qind mendojnë se në mandatin e ardhshëm qeverisës, standardi i jetesës së tyre do të përmirësohet.
Sondazhi i “Gani Bobit”, muaji prill
PD 46.6%
PS 42.1%
LSI 6.2%
G99 2.9%
Të tjera 2.2%
S’deklarojnë 18.5%
votën
Të pavendosur 8.1%
Sondazhi i “Gani Bobit”, muaji mars
PD 45.6%
PS 42.5%
LSI 6.2%
G99 2.3%
Të tjera 1.3%