PD e Tiranës, me datën 18 maj zgjedh kryetarin e ri
Kryesia vendos sot: Votim për 2 ose 3 kandidatura
Zgjedhje edhe për postet dhe kryesinë e degës
Demokratët e Tiranës do të zgjedhin ditën e hënë kryetarin e ri që do t’i qeverisë përgjatë një mandati katërvjeçar. Kryesia e PD-së së Tiranës vendosi mbrëmë thirrjen e konferencës së kësaj dege me datën 18 maj. Anëtarësia e demokratëve të Tiranës do të votojë në orën 12:00 drejtuesin e ri përmes votimit që do të zhvillohet në ambientet e Teatrit të Operas dhe Baletit. Sot pritet të mblidhet kryesia e qendrës për të vendosur në mënyrë zyrtare cilët do të jenë kandidatët garues për pasardhësin e Sokol Olldashit në krye të degës më të madhe të PD-së, atë të Tiranës. Brenda ditës së sotme do të mbyllen dhe zgjedhjet në dy seksione të Tiranës, për t’i hapur rrugën kështu mbledhjes së konferencës së madhe, e cila do të votojë kreun e ri. Statuti i PD-së parashikon që në këtë garë të futen dy ose tri kandidatura për postin e kryetarit të ri. Për këtë post janë një sërë emrash të njohur të demokratëve që pretendojnë majën e PD-së së Tiranës, por duket se më i favorizuari është deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. Kandidimin e tyre e kanë shprehur edhe Besnik Mustafaj, Edi Paloka, Lajla Përnaska etj. Kuvendi i degës i ditës së hënë do të zgjedhë përveç kryetarit, edhe anëtarët e kryesisë së re dhe emrat për postet drejtuese të kësaj dege. Kuvendi i 9 i PD-së së Tiranës do të ketë në rend të ditës miratimin e organeve drejtuese, raportin në emër të kryesisë mbi veprimtarinë katërvjeçare të degës, përshëndetjen e liderit Sali Berisha si dhe pyetje dhe diskutime të hapura nga anëtarësia e degës. Në kuvend do të bëhen të ditura dhe procedurat e zgjedhjeve të reja nën drejtimin e kryetarëve të komisioneve të votimit dhe të mandateve. Kuvendi i degës zgjedh kryesinë, kryetarin e degës, komisionin e apelimit dhe vendos për çështje të rëndësishme të saj në përputhje me statutin e partisë. Në kuvend nuk mund të shtohen kandidatë të tjerë për postin e kryetarit, veç atyre të miratuar nga kryesia e PDSH-së. Propozimet e mundshme nga 15 për qind e anëtarëve duhet t’i jenë paraqitur paraprakisht kryesisë qendrore dhe t’i jenë nënshtruar të njëjtave procedura sikurse propozimet e tjera nga organet që parashikon ligji.