Zgjedhjet, të djathtët dominojnë koalicionet
PD kryeson koalicionin prej 10 partish
26 parti të shpërndara në 4 koalicione
E djathta shqiptare, e kryesuar nga Sali Berisha, është shumë herë më e favorizuar për fitoren e 28 qershorit sesa e majta e Edi Ramës. Janë të djathtët ata që kryesojnë koalicionet parazgjedhore dhe është pikërisht PD-ja që ka nën ombrellën e saj edhe 9 parti të tjera të spektrit të djathtë. Ato janë parti tradicionale, të krijuara prej vitesh, siç janë republikanët, legalistët apo ballistët dhe që kanë një elektorat të konsiderueshëm. Por përveç “Aleancës për ndryshim” që mbledh brenda saj 10 parti aleate të njëra-tjetrës, është dhe një tjetër koalicion, “Poli i Lirisë”, që i përket qendrës së djathtë. Ky koalicion në krye të së cilit është ish-Kyeministri i qeverisjes së parë demokratike, Aleksandër Meksi, ka në përbërjen e tij 6 parti të qendrës së djathtë. Një bashkëpunim paszgjedhor mes këtyre dy koalicioneve të djathta, asaj “Aleanca për ndryshim” dhe “Poli i Lirisë”, do ta thellonte edhe më tej numrin e deputetëve fitues të së djathtës në Parlamentin e ri të Shqipërisë. Shqiptarët kanë shumë arsye për të votuar djathtas, qoftë nga projektet madhore të qeverisë “Berisha”, por edhe për bashkimin e gjerë të të djathtëve, gjë që solli krijimin e koalicionit më të madh në historinë demokratike të Shqipërisë. Por paralel me dy koalicionet e së djathtës, janë dhe dy koalicione të së majtës. Bëhet fjalë për “Bashkimi për fitore”, i cili ka në përbërjen e tij vetëm 5 anëtarë dhe po kaq dhe “Aleanca Socialiste për Integrim” e Ilir Metës, Çka do të thotë se e majta ndihet e rrezikuar përballë të djathtëve edhe në aspektin e aleancave parazgjedhore, por edhe atyre paszgjedhore. Demokratët kanë nënshkruar aleancë me PAD-në e Neritan Cekës, PR-në e Fatmir Mediut, PAA-në e Lufter Xhuvelit, PBLD-në e Arjan Starovës, PDI-në e Tahir Muhedinit, PLL-në e Ekrem Spahisë, LDK-në e Nikollë Lesit. Nga ana tjetër socialistët kanë krijuar koalicionin “Bashkimi për ndryshim”, i cili përbëhet nga PSD-ja e Skënder Gjinushit, PBDNJ-ja e Vangjel Dules, G99-a e Erion Veliajt, si dhe PDS-ja e Paskal Milos. Kurse, “Aleanca Socialiste për Integrim”, që drejtohet nga Ilir Meta, ka firmosur me PSV '91 e Petro Koçit, PGSH-në e Edlir Petanajt, PMDE-në e Ymer Kurtit, LDNJ-në e Ligoraq Karamelos, “Toleranca e Re” e Avdi Keçit. Koalicioni i katërt është “Poli i Lirisë” i cili ka në përbërjen e tij LZHK-në e Dashamir Shehit, PDK-në e Nard Ndokës si dhe disa shoqata rreth saj. Tashmë të gjitha koalicionet janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, konkretisht në zyrën e protokollit, regjistrim i cili u bë vetëm në momentet e fundit që parashikon ligji zgjedhor. Katër koalicione zgjedhore do të konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe secili prej tyre synon grumbullimin e sa më shumë votave, për sa më shumë deputetë në legjislaturën e re parlamentare. Neni 65 i Kodit Zgjedhor parashikon që dy ose më shumë parti politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore në KQZ, sipas nenit 64 të këtij Kodi, mund të regjistrohen si koalicion zgjedhor në shkallë vendi jo më vonë se 45 ditë përpara datës së zgjedhjeve. Partia politike pjesëmarrëse në një koalicion nuk mund të marrë pjesë në një koalicion tjetër dhe as të paraqesë listë shumemërore kandidatësh jashtë koalicionit ku ajo bën pjesë.
KOALICIONI "ALEANCA E NDRYSHIMIT"
1. Partia Demokratike
2. Partia Republikane
3. Partia Aleanca Demokratike
4. Partia Agrare Ambientaliste
5. Partia Bashkimi Liberal Demokrat
6. Partia për Drejtësi dhe Integrim
7. Partia Lëvizja e Legalitetit
8. Lëvizja Demokristiane
9. Partia e Ballit Kombëtar
10. Partia e Ballit Kombëtar Demokrat
KOALICIONI "BASHKIMI PËR NDRYSHIM"
1. Partia Socialiste
2. Partia Social Demokrate
3. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
4. Partia Demokracia Sociale
5. Grupimi G 99
ALEANCA SOCIALISTE PËR INTEGRIM
1. Lëvizja Socialiste për Integrim
2. Partia Socialiste e Vërtetë '91
3. Partia e Gjelbër Shqiptare
4. Lëvizja e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut
5. Partia Toleranca e Re
ALEANCA "POLI I LIRISË"
1. Partia Demokristiane
2. Lëvizja për Zhvillim Kombëtar
3. Partia Bashkimi Demokrat
4. Partia Konservatore
5. Partia "Rruga e lirisë"
6. Partia e Reformave Demokratike