E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ksera: Dule, kundër interesave të minoritetit grek



“Nuk kandidoj nën siglën e PBDNJ-së së Dules”

Ksera kryesonte listën në qarkun e Gjirokastrës

Spiro Ksera, një nga drejtuesit kryesorë të OMONIA-s, akuzon ashpër kryetarin e PBDNJ-së, Vangjel Dule, për shkelje me këmbë të të drejtave dhe interesave të minoritetit grek në Shqipëri, duke bërë aleancë me PS-në. Sipas tij, ky është një vendim që të gjitha pasojat do t’i ketë kryetari i PBDNJ-së, ndërkohë që OMONIA do të dëgjojë zërin e të gjithë simpatizantëve dhe pastaj do të dalë me një qëndrim konkret lidhur me këtë çështje. Pas kalimit nga ana e PBDNJ-së në koalicionin parazgjedhor me PS-në, z. Ksera e cilësoi dje këtë lëvizje si të padrejtë dhe se nuk janë mbrojtur të drejtat dhe interesat e minoritetit grek në Shqipëri. Ai u shpreh kundër lëvizjes së Dules, duke pohuar se bashkëpunimi me PD-në përgjatë këtij mandati ishte mjaft i suksesshëm. Ksera pranon se ka pasur debate të ashpra gjatë mbledhjes së Kryesisë së PBDNJ-së, duke konfirmuar se njëra pjesë e anëtarësisë e ka kundërshtuar aleancën me të majtën në prag të zgjedhjeve të 28 qershorit. “Ka pasur debate. Mendimi i Kryesisë së OMONIA-s ishte që ne të kandidonim të pavarur, duke ditur se forca kryesore mbështetëse për PBDNJ-në është qarku i Vlorës dhe i Gjirokastrës, ku jeton minoriteti etnik grek, i cili ka mbështetur dhe ka mbajtur gjallë Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut”, - tha z. Spiro Ksera. Ai sqaroi se ky qëndrim nuk është personal, por i diktuar nga presioni i shumë simpatizantëve të OMONIA-s dhe PBDNJ-së të qarkut të Gjirokastrës si dhe të qarqeve të tjera. “Një presion i njerëzve që kanë mbështetur këtë parti për të mos mbështetur koalicionin e majtë apo të djathtë, por për të kandiduar vetëm. Ishte një moment historik që në Parlamentin e ardhshëm minoritet grek të përfaqësohet me forcat e veta reale. Mua më çuditi një gjë, duke ditur edhe mendimet e intelektualëve të minoritetit, të paktën një faleminderit për këtë koalicion katërvjeçar nuk e dëgjuam”, - u shpreh z. Ksera. Ai vuri në dukje se duke parë marrëveshjen e partisë me këtë koalicion, nuk janë bërë të qarta detajet dhe nuk shohim që të ketë ndonjë përfundim real. Prefekti i Gjirokastrës ka vlerësuar si mjaft pozitiv bashkëpunimin me PD-në gjatë katër viteve të fundit në qeverisje, duke e quajtur të suksesshëm, pasi janë gjetur hapësira të duhura, qoftë në investimet e shumta në infrastrukturën në zonën e minoritetit, si dhe në investimin intelektual. “Vendimet politike të liderit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, shpresoj të analizohen më datë 29 qershor, një ditë pas zgjedhjeve”, - deklaroi z. Spiro Ksera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›