E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha emëron ish-shefin e Antiterrorit drejtor të SHIU-t

TIRANE - Kryeministri Sali Berisha emëroi dje Major Ylli Zylën në detyrën e Drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak. 

Ky funksion kishte mbetur bosh prej gati një muaji, pasi kreu i Qeverisë me propozim nga Ministri i Mbrojtjes, shkarkoi ish-shefin e SHIU Hysni Gjergji, në formë ndëshkimi administrativ për ngjarjen e ndodhur në Gërdec të Vorës. Shkarkimi i ish-shefit të SHIU-t erdhi vetëm pak orë, pasi Presidenti kishte dekretuar lirimin nga detyra për dy gjeneralët, Zija Bahja dhe Shpëtim Spahiu. Ndërkaq, sipas burimeve zyrtare, Kryeministri Sali Berisha mbështetur në pikën 3, të nenit 102, të Kushtetutës dhe në pikën 1, të nenit 7, të ligjit nr.9074, "Për Shërbimin Informativ Ushtarak", me propozim të Ministrit të Mbrojtjes, urdhëroi dje, emërimin e Major Ylli Zylës drejtor të Shërbimit Informativ Ushtarak. Ylli Zyla në fakt ka një karrierë të gjatë si zyrtar i lartë i Shërbimit Informativ Ushtarak. Prej vitit 1998 deri 20 ditë më parë ai ka qenë Shefi i Sektorit të Antiterrorit në Drejtorinë Qendrore të SHIU-t, por pak kohë më parë u transferua nga kjo detyrë në një funksion tjetër në Ministrinë e Brendshme si zv/drejtor i Përgjithshëm i SHKB-së. Vetëm 20 ditë pas transferimit të tij në Ministrinë e Brendshme, Qeveria vendosi emërimin e major Ylli Zylës në detyrën e Kreut të Shërbimit Informativ Ushtarak. Ky institucion është i ngarkuar nga ligji të hetojë, gjurmojë dhe denoncojë çdo vepër penale që kryhet brenda Forcave të Armatosura. t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›