E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryerektori, postin mund ta “rrëmbejnë” universitetet private

Postin e kryerektorit në vend, mund ta marrë edhe një prej drejtuesve të universiteteve private. 

E thënë me thjeshtë, nëse votat e anëtarëve do të vijojnë të jenë kriteri i vetëm përcaktues, janë pikërisht këto institucione që dominojnë. Në konferencën e rektorëve që pritet të mblidhet brenda javës, marrin pjesë 12 drejtues të universiteteve publike dhe 19 të universiteteve private. Sipas statutit aktual të shkollave të larta kryetari i konferencës së rektorëve zgjidhet me dy të tretat e votave të anëtarëve. Nëse ky kusht mbetet në fuqi edhe në statutin e ri që po hartohet nga universitetet, atëherë nuk është aspak çudi që kryerektori të jetë drejtues i një universiteti privat. Nuk dihet nëse do ta mirëpresin drejtuesit e institucioneve publike të arsimit të lartë një mundësi të tillë. Gjithçka mbetet për t'u diskutuar në mbledhjen e konferencës. Për herë të parë pas zgjedhjeve në universitete ajo do të thirret këtë javë nga ministri i Arsimit Genc Pollo. Konferenca e Rektorëve përbëhet nga rektorët e universiteteve. Me ligjin e ri  në përbërje të saj janë institucionet e arsimit të lartë publike dhe private nën juridiksionin e MASH. Ky organ ka në përbërje të tij edhe një anëtar, përfaqësues i MASH, i autorizuar nga ministri. Por burime nga komuniteti i drejtuesve të universiteteve publike pohuan për gazetën se zgjedhja e kryetarit të konferencës së rektorëve nga radhët e drejtuesve të privatëve do të zbehte pozicionin e tij, si përfaqësues i rektorëve. "Do të kishim një frymë të re në përfaqësimin e universiteteve, e cila do të ishte në disfavor të publikut", sqaruan burimet. Ndërkohë, sipas statutit kryetari i konferencës zgjidhet nga Asambleja e Përgjithshme për një periudhë 1-vjeçare. Kandidaturat propozohen nga anëtarët e konferencës dhe vendimi merret me 2/3 e votave të fshehta të anëtarëve të pranishëm. Nëse asnjë nga kandidaturat nuk arrin numrin e nevojshëm, votohet për herë të dytë për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota dhe vendimi mbetet i vlefshëm me shumicën e thjeshtë. Komisioni i votimit përbëhet nga 3 anëtarë të konferencës të votuar me shumicë të thjeshtë dhe me votim të hapur.                   z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›