E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grevistët e Gërdecit: Le të bëhemi 34 të vdekur

"Ne jemi këtu ndërsa kolegët tanë vdiqën brenda fabrikës së çmontimit në Gërdec. Le të vdesim edhe ne, të bëhemi gjithsej 34 viktima dhe t'i bëhet qejfi Qeverisë". 

Këto janë fjalët e njërit prej pjesëmarrësve në grevën e urisë që po zhvillohet në Vorë nga ish-punëtorët e fabrikës së ngritur nga Mihal Delijorgji në ish-repartin ushtarak të tankeve në Gërdec. Ditën e djeshme ambienti ku po qëndrojnë tetë grevistët është vizituar nga mjekët e ambulancës së Vorës, të cilët u kanë dhënë trajtimin e nevojshëm ish-punëtorëve të çmontimit të municioneve për shkak të gjendjes së tyre të rënduar nga refuzimi i ushqimit dhe qëndrimi në ambient të izoluar prej një jave. Mjekët u sugjeruan atyre të dalin nga greva, pasi gjendja e tyre paraqitet e rënduar, por ish-punëtorët e Gërdecit nuk janë tërhequr. Ata kërkojnë ndihmë urgjente financiare në vlerën 400 mijë lekë për familje nga Qeveria, përfshirjen në skemën e sigurimeve shoqërore, shërbim shëndetësor falas, pension 1-vjeçar dhe dëmshpërblim për dëmet që u janë shkaktuar nga tragjedia e Gërdecit, e cila shkaktoi vdekjen e 26 personave.
Vizitat
Grevistët e urisë të Gërdecit u vizituan dje edhe nga drejtues të LSI-së. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra, sekretari i Përgjithshëm i Tiranës, Elez Gjoza, kryetari i Këshillit Bashkiak në Tiranë, Sokol Dervishaj dhe anëtari i kryesisë së LSI-së, Dritan Ylli, ishin dje pranë ish-punëtorëve të fabrikës së demontimit të armëve, të cilët janë në ditën e pestë të grevës së urisë. Duke iu përgjigjur interesit të mediave, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, i bëri thirrje publikisht qeverisë "për të likuiduar deri më një sakrificën, tashmë të paguar me jetë njerëzish në Gërdec". "Mesa duket, tha ai, ashtu sikurse edhe të gjithë rastet e tjera, në vend që kjo qeveri të merrej me likuidimin të atij dëmi të jashtëzakonshëm që bëri, si duket e ka parë të udhës që edhe këta t'i konsiderojë "një grevë e manipuluar". Deri tani nuk kemi dëgjuar akoma që të akuzojë dhe të vdekurit për manipulimin e tyre", u shpreh sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Vasili. Pranë grevistëve ishte dje edhe kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi, i cili u shpreh se, "ju që jeni këtu nuk përfaqësoni thjesht kërkesat tuaja, por përfaqësoni edhe interesat e gjithë atyre që janë jashtë, të gjithë popullit të Vorës dhe të Gërdecit, madje edhe më gjerë, që u dëmtuan nga kjo tragjedi dhe krim shtetëror që u krye në mes të Tiranës".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›