E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu, 4 dosje shtesë në Kuvend

Prokuroria e Përgjithshme dërgoi dje në Kuvendin e Shqipërisë dokumentet shtesë të kërkuara nga Këshilli i Mandateve për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. 

Trazhgim Sokolaj

Grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit përfundoi përgatitjen e dosjes e cila pasi kaloi në zyrën e Kryeprokurores Ina Rama, u dërgua në adresë të Kuvendit për t'i hapur rrugë hetimeve penale ndaj Fatmir Mediut lidhur me ngjarjen e Gërdecit. Organi qendror i akuzës hartoi dosjen e dytë me katër volume materialesh, të cilat u dorëzuan në Kuvend me kërkesën për heqjen e imunitetit të deputetit republikan, Fatmir Mediu, për të autorizuar në këtë mënyrë fillimin e hetimeve ndaj tij për veprën penale "shpërdorim detyre". Në dokumentet shtesë që ndodhen në katër dosjet e dërguara dje në Kuvend, janë përfshirë shkresat e dala nga Shtabi i Përgjithshëm në zbatim të urdhrave të dhënë prej ministrit të Mbrojtjes për çmontimin e municioneve luftarake në Gërdec. Dokumentet shtesë të kërkuara nga Kuvendi nuk kanë qenë më parë në dosjen "Gërdeci" dhe sipas Prokurorisë janë sekuestruar së fundi. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilave në kërkesën e dytë të organit të akuzës, janë përfshirë tashmë, të gjitha dokumentet shtesë të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë dhjetë ditë më parë. Kryetarja e Kuvendit dhe Komisioni i Mandateve akuzuan Prokuroren e Përgjithshme se në kërkesën e parë të dërguar deputetëve më 25 prill 2008, kishte fshehur dokumente nga dosja "Gërdeci" duke mos i dërguar të gjitha shkresat në Kuvend. Ata hartuan një listë prej 9 dokumentesh dhe kërkuan që Prokuroria t'i paraqesë në Parlament për të sqaruar më mirë pozicionin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Mediu, në çështjen "Gërdeci". Mes dokumenteve të kërkuara nga Kuvendi dhe deputetët Arian Madhi e Astrit Bushati, ndodhet edhe komunikata operative e Shtabit të Përgjithshëm, e cila dërgohet çdo ditë edhe në Presidencë.
Katër fashikuj
Zyra e Prokurores së Përgjithshme bëri dje me dije se, "në përgjigje të kërkesës së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin pranë Kuvendit të Shqipërisë për dokumente shtesë me synimin për të mos u bërë pengesë për një vendimmarrje sa më të drejtë të Kuvendit, zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i dërgoi këtij këshilli katër volume me dokumente në lidhje me lejimin për procedimin penal ndaj deputetit Fatmir Mediu, bashkë me shkresën përcjellëse me sqarimet përkatëse". Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, në këto volume përfshihen dokumentet që Prokuroria e Përgjithshme ia kishte vënë në dispozicion më parë këtij këshilli, të cilat u ridërguan sipas kërkesës së tij, duke shtuar edhe pjesën tjetër të dokumenteve që kërkoheshin, në të cilat përfshihen edhe disa shkresa të sekuestruara në vazhdim të hetimeve dhe pas paraqitjes së kërkesës së Prokurorisë në Kuvend. Organi qendror i akuzës deklaroi dje se Prokuroria po vazhdon hetimet dhe po ushtron ndjekje penale ndaj disa personave, civilë dhe ushtarakë në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur më 15 mars në Gërdec. "Prokuroria siguron se është e vendosur, që në pavarësi të plotë në vendimmarrjen e saj, të vërë përpara përgjegjësisë çdo person të përfshirë në këtë proces, që ka kryer vepër penale", thuhet nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme.
Imuniteti i Mediut
Më tepër se një muaj pas tragjedisë së Gërdecit, Prokuroria e Përgjithshme dërgoi më 25 prill 2008 në Parlament kërkesën për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për t'i hapur rrugë hetimeve ndaj tij. Kërkesës së parë të Prokurorisë, në të cilën pretendohej për 20 shkelje të kryera nga ish-ministrit Mediu, iu bashkëngjit një dosje me 192 faqe të shtypura në dy anët e fletëve. Në mbështetje të kërkesës për heqjen e imunitetit të Mediut, Prokuroria çoi në Kuvend gjithsej 32 dokumente, që nga urdhrat e ministrit të Mbrojtjes, shkresat e ndërmarrjes MEICO, fakse të ortakut të Mihal Delijorgjit dhe dokumente të kaluara në sekretarinë e dikasterit të Mbrojtjes. Kuvendi shtyu për disa ditë shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë, dhjetë ditë më parë e shqyrtoi atë dhe thirri ish-ministrin Mediu për të paraqitur qëndrimin e tij para Komisionit të Mandateve. Ai paraqiti dokumente që sipas tij, hedhin dritë mbi ngjarjen e Gërdecit. Pasi u shqyrtuan dokumentet e paraqitura nga Mediu, kryetarja e Parlamentit reagoi duke thënë se, "janë 8 volume me shkresa dhe dokumentacione, pjesa më e madhe e të cilave nuk ka ardhur nga Prokuroria. Nuk i ka sjellë Prokuroria për t'i vënë në dispozicion të Parlamentit, pra i janë i fshehur Parlamentit". Pas kësaj, kryeparlamentarja i kërkoi Prokurorisë 9 dokumente shtesë, të cilat organi i akuzës i dërgoi dje në Kuvend.

Kërkesat ndaj Prokurorisë

1. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007 "Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 25.4.2007 të KM-së, "Për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të FA-së të hequra nga armatimi dhe përdorimi", për sa i përket shitjes për çmontim dhe çmilitarizim të një sasie municioni".
2. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 550, datë 25.4.2007.
3. Shkresa nr. 7395, datë 17.9.2007 e shefit të Shtabit të Përgjithshëm, drejtuar ministrit të Mbrojtjes dhe praktika shoqëruese e saj.
4. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
5. MEMO e datës 22.11.2007 nga drejtori i Drejtorisë Logjistike, drejtuar ministrit të Mbrojtjes nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
6. Praktika shoqëruese (MEMO, relacionet, vendimet paraprake të komisioneve, etj) e urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 7.12.2007 "Për zbatimin e vendimit nr. 138, datë 25.4.2007 të Këshillit të Ministrave "Për kalim municioni ndërmarrjes MEICO".
7. Detyrat që ka lënë shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe urdhrat që ai ka nxjerrë në zbatim të urdhrit të ministrit të Mbrojtjes nr. 2044, datë 7.12.2007.
8. Dokumentacioni që rregullon licencimin e depove të armatim municioneve.
9. Komunikatat ditore të Qendrës Operacionale për lëvizjen dhe transportimin e municioneve për në Gërdec, si dhe raportin e Ministrisë së Mbrojtjes, Qendra Operacionale e Mbrojtjes datë 23.03.2008.

Ina Rama, kokë më kokë me Topin

Kryeprokurorja Ina Rama ka zhvilluar dje një takim rreth 45 minuta me presidentin, Bamir Topi, në zyrën e këtij të fundit. Burime pranë dy institucioneve bëjnë të ditur se, Rama ka shkuar rreth orës 10.00 të paradites së djeshme në Presidencë, ku është pritur nga presidenti Topi, një takim jo i bërë publik për mediat nga asnjë prej këtyre dy institucioneve. Por takimi mes tyre ka ngelur konfidencial deri në momentin kur Rama po largohej nga zyra e kreut të shtetit dhe është përballur me ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, i cili gjithashtu kishte një takim me Topin. Takimi mes kryeprokurores dhe presidentit, vjen në një moment kur institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme është vënë përballë akuzës së Kuvendit se ka fshehur dokumente që implikojnë ushtarakët në shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. Në një prej mbledhjeve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, ka qenë pikërisht kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, ajo e cila është shprehur se organi i akuzës nuk i ka vënë në dispozicion të deputetëve të gjithë dokumentacionin lidhur me këtë ngjarje. Gjithashtu ky takim mes Ina Ramës dhe Bamir Topit vjen në një moment kur po vazhdojnë hetimet për shpërthimin e fabrikës së çmontimit të armëve në Gërdec, nga e cila ngelën 26 të vdekur. Vetë kreu i shtetit ka paralajmëruar pak ditë më parë në një emision televiziv, një hetim të plotë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me këtë ngjarje. "Po ecet me hapa të sigurt, të konsoliduar, drejt një hetimi profesional. Ajo që tek ne është shumë e rëndësishme është inkurajimi i duhur institucionit të Prokurorisë që të bëjë një hetim të pavarur, të painfluencuar dhe i padeformuar nga ndërhyrjet", deklaroi kreu i shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›