Berisha: Çështja çame ekziston vetëm për pronat
Çështja çame nuk mund të mohohet se ekziston, por ekziston në kontekstin e pronave. Tirana zyrtare rithekson edhe njëherë qëndrimin e saj lidhur me çështjen çame në marrëdhëniet me Greqinë, por në të njëjtën kohë për zgjidhjen e saj i referohet traktatit të miqësisë të nënshkruar mes dy vendeve. Në një intervistë për televizionin A2 në Shkup, Kryeministri Berisha deklaroi se "Problemi çam, nuk mund të injorohet se ekziston, por ekziston kryesisht në kontekstin e pronave. Si një çështje teknike-juridike. Kjo është e përcaktuar në Traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit midis dy vendeve". Së bashku me ndërtimin e varrezave të ushtarëve grekë në vendin tonë dhe pronat e komunitetit çam përbëjnë dy prej çështjeve më të rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve. Por ndërsa ajo e varrezave greke duket se po shkon drejt zgjidhjes, pas siglimit të marrëveshjes, çështja çame ende nuk po gjen zgjidhje. Gjatë intervistës kreu i qeverisë ka folur edhe për marrëdhëniet me opozitën. "Më duhet të them se unë kam shumë vlerësim për kontributin e opozitës, e cila në problemet madhore ka pasur kurajo dhe vendosmëri për të bashkëpunuar haptazi në interesin më të mirë të vendit dhe integrimin e tij në NATO dhe Bashkimin Evropian. Vetëm dy ditë më parë, ne votuam me konsensus me Partinë Socialiste, Kodin Zgjedhor të sistemit të ri Zgjedhor, një arritje shumë e madhe për vendin", u shpreh Berisha. Kreu i ekzekutivit është ndalur gjatë intervistës edhe në krizën e fundit ekonomike botërore. Ai theksoi se vendet e Ballkanit ende nuk kanë pasur ndonjë ndikim thelbësor për shkak të kësaj krize, por shtoi se nuk përjashtohet mundësia e ndikimit të saj. "Nuk përjashtohet mundësia e ndikimit të recesionit që kjo ka krijuar në ekonomitë e mëdha evropiane dhe botërore. Recesioni përbën një ngadalësim ekonomik dhe një plogështi në tërësi në investime, në dinamizmin e ekonomisë dhe ne nuk jemi ishuj të shkëputur, por jemi copëza të përbashkëta. Kështu që në këtë kontekst pa ndikim nuk mund të jetë, por nuk besoj që mund të ketë ndikime thelbësore që të çrregullojë këto ekonomi", theksoi Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare ka folur edhe për përplasjen mes Greqisë dhe Maqedonisë, për shkak të emrit të kësaj të fundit. Sipas Berishës është shumë e rëndësishme gjetja e një zgjidhje për këtë çështje. "Maqedonia ka bërë progres të madh, ka bërë reforma shumë serioze, qoftë në drejtim të forcave të armatosura, qoftë në drejtim të ekonomisë dhe standardeve demokratike. Ky vend pra është plotësisht i përgatitur për t'i marrë të gjitha përgjegjësitë si anëtare e NATO-s dhe më pas edhe e Bashkimit Evropian. Në këtë kontekst, gjetja e një zgjidhjeje është në interes të dy vendeve dhe të rajonit në tërësi".
“Rama, 15% për lejet e ndërtimit”
Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje sërish kreun e Bashkisë së Tiranës, njëherësh liderin e PS-së, Edi Rama, për korrupsion me lejet e ndërtimit. Duke folur nga qyteti i Pogradecit në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kreu i qeverisë u shpreh se arsyeja përse Tirana ka më pak shkolla e kopshte është për faktin se në këto leje, kreu i bashkisë nuk mund të marrë ryshfetin si me lejet e ndërtimit. "Në një lagje me 30 mijë banorë në Tiranë, nuk janë më shumë se 2 kopshte, sepse ai ka një problem me kopshtet dhe me shkollat, ka probleme dhe me përqindëshin e truallit, sepse ato nuk i japin 15 për qind, siç japin pallatet. Por ne do të vazhdojmë të ndërtojmë dhe ju premtoj se do të financojmë asfaltimin e të gjitha rrugëve të brendshme të këtyre fshatrave", theksoi Berisha. Në Pogradec kreu i qeverisë premtoi dyfishimin e pensioneve të fshatit nga 1 maji i vitit të ardhshëm si dhe shtimin e investimeve në arsim e infrastrukturë.