Riprodhimi: Meshkujt, në rrezik për shkak të ndotjes së ambientit
Shkencëtarë nga vende të ndryshme të botës do të ballafaqohen të martën e ardhshme në Paris për temën “Ambienti kimik, riprodhimi dhe zhvillimi i fëmijës”. Takimi është organizuar nga Ministria e Shëndetësisë franceze, pas shqetësimit të krijuar nga studime të ndryshme, të cilat kanë treguar për një ulje të prodhimit të spermatozoideve në burrat me moshë të mesme, gjatë 50 viteve të fundit, ndërsa rastet me kancer në testikuj janë dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit. Në qendër të vëmendjes do të jenë substancat kimike të pranishme gati në të gjitha produktet e përdorimit të përditshëm e të përdorura për zbutjen e plastikës, të cilat veprojnë direkt në organizëm, duke shkaktuar ndryshime në sistemin hormonal. Nga studime të ndryshme është parë se gjatë 20 viteve të fundit, parisienët kanë “humbur” gati 40 % të spermatozoideve dhe ata që kanë mbetur, kanë lëvizshmëri të vogël. Përveç kësaj një laborator francez, ka treguar se lidhja direkte mes kontaktit të disa agjentëve kimikë për zbutjen e plastikës, që ndodhet në disa përbërës ushqimor si biberoni e në kremra kozmetike, parfume, sapunë dhe uljes së numrit të spermatozoideve. Shpesh herë kontaminimi ndodh që në barkun e nënës dhe disa klinika në Francë kanë vendosur të ndalojnë çdolloj produkti kozmetik.