E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI: Buxheti, qeveria asnjë masë për krizën

 

LSI, pas analizimit me shumë kujdes të çdo shifre të paraqitur në projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2009, është thellësisht e shqetësuar për përkeqësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve si rezultat i politikave ekonomike që frenojnë zhvillimin dhe thellojnë varfërinë. Nënkryetarja e LSI-së, Filloreta Kodra në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se " buxheti i propozuar nga qeveria për vitin 2009 shpreh qartë orientimin për t'i shërbyer zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në vend, të ndikimit pozitiv në uljen e varfërisë dhe lehtësimin e jetës së shqiptarëve". Sipas saj, "qeveria e Berishës deklaroi me gojën e Ministrit të Ekonomisë se çmimi i energjisë elektrike do të rritet përsëri ndërsa në projektbuxhet nuk është parashikuar asnjë lek kompensim për këtë, pra barra e rritjes së çmimit të energjisë do të bjerë përsëri mbi ata shqiptarë që paguajnë energjinë, duke i varfëruar ata akoma më shumë". Sipas LSI, edhe pagesa e papunësisë nuk pëson asnjë ndryshim, pra ndërsa kosto e jetesës rritet në mënyrë të pandalshme, këto mijëra familje shqiptare do të vazhdojnë të zhyten në një varfëri të tejskajshme dhe me këtë qeverisje nuk do të ketë asnjë shpresë se mund të lehtësohet varfëria e tyre. "Në projektbuxhetin e paraqitur, qeveria nuk ka vlerësuar rreziqet serioze që vijnë nga kriza globale ekonomiko financiare; ndikimet e fushatës elektorale e të zhvillimeve ekonomike në vitin 2009; problemet dhe gjendjen ekonomiko financiare të KESH; rritjen e çmimeve në tregun ndërkombëtar dhe ndikimi i tyre në ekonominë shqiptare; nivelin e ulët dhe mungesën e kapaciteteve të administratës publike", deklaroi Kodra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›