E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hashashi me mushka në Greqi, hetimi zbulon trafikantin e katërt

 

TIRANE – Dorëzohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosja penale ndaj personit të katërt, të akuzuar për episodin e trafikimit të hashashit me mushka në drejtim të Greqisë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë dje se kanë përfunduar hetimet dhe është dorëzuar në gjykatë, dosja penale ndaj të pandehurit E. Avdyli, i hetuar në mungesë pasi policia nuk ka mundur të realizojë arrestimin e tij. Sipas burimeve zyrtare, mësohet se gjatë hetimit ndaj të akuzuarve Leonard Karafili, Petrit Kupe dhe Erjon Veizi të dënuar më 13 qershor 2007, u gjetën prova që implikonin në trafikim të narkotikëve edhe të pandehurin E. Avdyli. Për këtë shkak, dosja penale me provat kundër tij, u veçua dhe u mbajt për hetime shtesë, ndërsa fashikulli për tre të akuzuarit tjerë, Leonard Karafili, Petrit Kupe dhe Erjon Veizi u dërgua në gjykatë. Gjatë hetimeve ndaj E. Avdylit, sipas burimeve zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, është arritur në përfundimin se më 1 korrik 2006 janë kapur në flagrancë duke trafikuar në drejtim të Greqisë, një sasi droge prej 100 kilogramë hashash Leonard Karafili, Petrit Kupe dhe Erjon Veizi, të dënuar tashmë. Sipas hetimeve, ata kishin marrë përsipër propozimin që u ishte bërë, që të transportonin sasinë e lëndës narkotike kundrejt pagesës prej 500 (pesëqind) euro. Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin vendosur që transportimin e hashashit ta bënin nëpërmjet kalimit të kufirit nga mali i Gramozit për në Greqi. Dy prej të implikuarve në këtë episod mësohet se një natë para se të trafikonin ngarkesën me drogë, kanë qëndruar në shtëpinë e të akuzuarit E. Avdyli, i cili banonte në Ersekë. “I akuzuari E. Avdyli u ka shpjeguar Leonard Karafilit dhe Petrit Kupes, se ata do të prisnin në një vend të caktuar dhe pasi të bashkoheshin me një person tjetër (Erjon Veizi) ai do t’i ndihmonte në transportimin e drogës dhe do të niseshin për në Greqi”, tha Prokuroria e Përgjithshme duke cituar hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas tyre, gjatë rrugës, trafikantët janë ndaluar nga ndërhyrja e policisë, e cila ka kapur në flagrancë Leonard Karafilin, Petrit Kupen dhe Erjon Veizin, por nuk ka mundur të arrestojë E. Avdylin. Ky i fundit është zbuluar nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila e shpalli atë në kërkim dhe dosjen penale ndaj tij e dorëzoi për shqyrtim në Gjykatë.         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›