Loshaj: Kam frikë të dëshmoj në Tiranë
Trazhgim Sokolaj
Avdyl Loshaj, njëri nga tre personat e rrëmbyer dhe mbajtur peng nga Shërbimi Informativ Kombëtar në tetor 1995, refuzon të paraqitet në Gjykatën e Krimeve të Rënda ku është thirrur për të dhënë dëshminë e tij. Me anë të një letre të dërguar ditët e fundit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Loshaj shprehet se nuk është i sigurt të udhëtojë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa konfirmon se është i gatshëm të japë dëshminë e tij në Ambasadën shqiptare në Holandë, përmes videokonferencës. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë, sipas të cilave organi i akuzës lajmëroi pak ditë më parë Avdyl Loshajn, në vendbanimin e tij në Holandë, se duhej të paraqitej për të dhënë dëshminë e tij në gjyqin, që po zhvillohet në Tiranë kundër katër ish-agjentëve dhe zyrtarëve të SHIK-ut, të akuzuar për rrëmbimet e tetorit 1995. Sapo ka marrë thirrjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Loshaj ka dërguar një letër ku shpreh pasigurinë e tij për të ardhur në Tiranë, ndërsa kërkon të dëshmojë para gjykatës përmes pamjeve filmike të videokonferencës duke treguar gjithçka di për rrëmbimin e tij, Remzi Hoxhës dhe Ziso Kristopullit në tetorin e vitit 1995. Faktet që di Avdyl Loshaj lidhur me ngjarjet e ndodhura me tre të rrëmbyerit nga SHIK-u 13 vjet më parë, përfshi edhe vetë atë, janë përshkruar nga i dëmtuari në dëshminë e tij të dhënë në dhjetor 2003.
Pengu i tretë
Një prokuror dhe një oficer i Prokurorisë shqiptare shkuan në Holandë dhe morën në pyetje Avdyl Loshajn lidhur me rrëmbimin e tij dhe mbajtjen në arrest nga agjentët e SHIK-ut në të njëjtin interval kohor, kur u ndaluan edhe Ziso Kristopulli dhe Remzi Hoxha, ndërsa ky i fundit i zhduk. Deklarimet e dhëna nga Loshaj në vitin 2003 ndodhen në dosjen penale, por procedura kërkon që ai të paraqitet në gjykatë dhe të dëshmojë faktet, për të cilat ka dijeni. Prokuroria tha se pas përgjigjes së mbërritur nga Avdyl Loshaj, i cili ka refuzuar të paraqitet në Tiranë, ende nuk është marrë një vendim se si do të veprohet më tej për këtë çështje. Prokuroria e konsideron të rëndësishme dëshminë e Avdyl Loshajt, për shkak se ai u rrëmbye dhe u mor në pyetje, duke u keqtrajtuar në zyrat e SHIK-ut tek godina e sotme e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, prej nga u arratis duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë e më pas u largua jashtë Shqipërisë për t’i shpëtuar ndjekjes. Ndalimi i Avdyl Loshajt nga punonjësit e Shërbimit Sekret ishte argumentuar atëherë me faktin se ai, duke u prezantuar si fotoreporter austriak kishte zhvilluar disa takime me të rrëmbyerin tjetër nga SHIK-u, Ziso Kristopulli, i cili gjatë marrjes në pyetje nga agjentët, u përball me akuza mes të tjerash për planifikim atentati ndaj ish-ministrit të Brendshëm.
Remzi Hoxha
Biznesmeni shqiptaro-maqedonas i industrisë së duraluminit Remzi Hoxha është marrë në punishten e tij tek ish-frigoriferi në Tiranë nga agjentë të Shërbimit Informativ Kombëtar. Ai është çuar më pas në bazën sekrete të SHIK-ut në Lezhë, ku sipas dëshmive është marrë në pyetje për disa ditë, duke u përballur me keqtrajtime të rënda fizike. Prej asaj kohe Remzi Hoxha është zhdukur pa gjurmë.
Ziso Kristopulli
Ish-kryetari i degës lokale të PS-së në Ksamil u ndalua nga punonjësit e Shërbimit Informativ në jug të vendit më 17 tetor 1995. Edhe ai u transportua për në bazën sekrete të SHIK-ut në Vain të Lezhës, ku pasi u mor në pyetje për disa ditë për akuzat që i bëheshin, u la i lirë madje u transportua me makinë deri në Tiranë nga vetë punonjësit e Shërbimit Informativ Shtetëror.
Gjykimi për torturat, pritet shikasi i katërt Ilir Kumbaro
TIRANE – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar një letërporosi tek autoritetet britanike, ku kërkon ekstradimin për Ilir Kumbaron pas arrestimit të tij më tepër se një muaj më parë në Londër. Ilir Kumbaro është i katërti nga ish-oficerët e SHIK-ut në vitin 1995, që akuzohet si pjesëmarrës në operacionin e rrëmbimit të Remzi Hoxhës, Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt e më pas keqtrajtimit të tyre deri në përmasat e torturës. Çështja e ekstradimit të Ilir Kumbaros, paraqitet e komplikuar për shkak të mungesës së marrëveshjes Shqipëro-Angli, por edhe nga fakti tjetër se ish-agjenti i Shërbimit Informativ Ilir Kumbaro, është larguar nga Shqipëria në vitin 1996 dhe dyshohet se në Britaninë e Madhe ka hyrë më dokumente të falsifikuara sikur të ishte shtetasi çek me emrin Shaqa Shatri. Ai madje ka përfituar azil politik prej 12 vitesh në Londër, ndërsa në Tiranë, në pranverën e këtij viti, Prokuroria e Krimeve të Rënda çoi në gjyq dosjen, ku ai bashkë me tre ish-kolegë të tij akuzohen për rrëmbim, ushtrim torturash dhe keqtrajtime të tre personave njëri nga të cilët u zhduk në vitin 1995. Sipas konfirmimeve të marra në rrugë zyrtare pas kapjes së Kumbaros në Angli, mësohet se gjykata e Londrës do të zhvillojë më 26 nëntor 2008 një seancë në ngarkim të ish-agjentit me qëllim marrjen e një vendimi për këtë çështje.