Mungesa e testosteronit,e lidhur me obezitetin
AIDA MALAJ
Sindroma e mungesës së testosteronit, është një nga shqetësimet e meshkujve pas moshës 45 vjeç. Ndryshimet hormonale që ndodhin me kalimin e viteve, bëhen shkak për shfaqjen e mjaft shqetësimeve që përkufizohen me atë që njihet si “andropauzë”. Ku shqetësimi më i parë që shfaqet është obeziteti, që dihet që ndikon në një sërë sëmundjesh të tjera, serioze për jetën. Po çfarë mund të bëhet për trajtimin e këtyre shqetësimeve dhe a përbën rrezik injektimi i testosteronit, që është mënyra më e mirë kurative:
Doktor, çfarë është sindroma e mungesës së testosteronit?
Sindroma e deficitit të testosteronit apo siç njihet TDS është një sindrom klinik e biokimik, që rezulton në uljen domethënëse të cilësisë së jetës së një mashkulli dhe prek funksionin e sistemeve të shumë organeve të trupit. TDS karakterizohet nga ulja e testosteronit dhe e hormoneve të tjera dhe shoqërohet me ndryshime në indeksin e masës trupore, obezitet, osteoporozë, gjumë dhe çrregullime të humorit,
Si ndikon ky sindromë në obezitet?
Obeziteti mendohet të jetë i pari ndryshim që ndodh me shfaqjen e deficitit të testosteronit, mbasi adipocitet (qeliza) sekretojnë leptinën, që rezulton në një rënie të testosteronit. Sindromi metabolik (HTA + Hiperlipidemia + D.M TIP II) ndërthuren me TDS). Veç kësaj është parë se obeziteti dhe rritja e testosteronit që ai sjell, shoqërohet me një risk të lartë për kancer të prostatës te meshkujt, që kanë vlera të testosteronit më pak se 200 mg/dl (6.9 nmol/l). Eshtë parë se këta kanë 2 herë më të shtuar riskun për vdekje, 3 herë më të shtuar riskun për vdekje nga kanceri dhe dy herë më shumë riskun e vdekjes nga probleme kardiovaskulare, për një periudhë 17-vjeçare, në krahasim me atë me nivel testosteroni 410-509 mg/dl (14.2-17.7 mol/l).
Çfarë duhet të bëhet sapo shfaqen problemet me deficitin e testosteronit?
Së pari, rekomandohet të bëhen analiza e gjakut, që bën të mundur përcaktimin e nivelit të testosteronit. Vlera ndërmjet 12 dhe 15 n.mol/l, konsiderohen normale. Ndërsa vlerat nën 12 n.mol/l duhet trajtuar nëse janë prezent simptomat tipike të mungesës së testosteronit. Veç analizave të gjakut duhen bërë: urinë komplet, uroculturë, PSA-testosteroni, spermograma, analizat e mëlçisë, lipidograma, echo e prostatës dhe testeve. Kjo bëhet për të parë nivelet e tyre dhe korrigjuar nivelet e testosteronit.
Çfarë rekomandohet në këto raste, për trajtimin e problemit?
Meshkujt që kanë probleme të tilla rekomandohet të trajtohen me injeksion depo çdo 3 muaj (Nebido), që është mënyra më moderne e trajtimit të këtij problemi. Avantazhi i tij është fakti që niveli i testosteronit në gjak, mbetet në nivele normale për rreth 12 javë. Në këtë mënyrë janë të mjaftueshme vetëm 4 injeksione në vit. Përgjatë 3 mujorit pas injeksionit mashkulli fiton me tepër konfidencë, pavarësi dhe një cilësi më të mirë jetese sesa me injeksionet tradicionale të testosteronit, të cilat janë efektive vetëm për 2-3 javë.
Është e vërtetë që injektimi i testosteronit për ta çuar atë në vlerë normale, mund të ndikojë në shfaqjen e kancerit të prostatës?
Studime të shumta të kryera në botë, kanë treguar se nuk ka pasur progresion të kancerit të prostatës nga administrimi i testosteronit, madje u vu re lehtësim i dhimbjes së kockave në këta pacientë. Po ashtu u bënë studime dhe u pa se administrimi i testosteronit nuk shton riskun për kancer të prostatës, u pa se testosteroni ulet tek meshkujt me plakjen dhe incidenca e kancerit të prostatës shtohet dukshëm, meshkujt me kancer të prostatës më agreseve kishin nivele serike të testosteronit të ulëta, pra kjo nuk e mbështet teorinë se testosteroni sjell kancer të prostatës. Shumica e preparateve të testosteronit i.m, transdermal, oral, janë efektive dhe nëse përdoren si duhet sidoqoftë duhet të preferohen ato që bëhen efekt afatshkurtër (transdermal, oral, bukal) në krahasim me ato afatgjatë.
Para fillimit të testosteronit duhet bërë PSA dhe DRE ekotransrektale duhet bërë vetëm nëse PSA dhe DRE rezultojnë të alternuara.
Çfarë duhet bërë, për të pasur sukses?
Niveli i testosteronit te burrat duhet monitoruar çdo 3 muaj, gjatë vitit të parë të përdorimit të Nebido dhe më pas duhet monitoruar çdo vit.
Çfarë është testosteroni
Testosteroni është hormon seksual mashkullor, që ndikon në zhvillimin e një mashkulli gjatë pubertetit. Ky është një hormon mjaft i nevojshëm për shëndetin dhe cilësinë e jetës së tij. Ky hormon ndikon në zhvillimin e qimeve në mjekër dhe trup, zhvillimin e fizikut dhe libidon (dëshirë seksuale). Rritja e hormonit ndikon në shtimin e oksigjenit në tru, përmes të cilit përmirësohet fuqia e përqendrimit, memoria dhe humori. Në këtë mënyrë mungesa e këtij hormoni, ndikon në shfaqjen e problemeve fizike dhe psikike të një burri. Po ashtu, testosteroni rregullon fuqinë muskulore dhe masën dhjamore të një mashkulli.