Berisha feston fitoren me deputetët në Durrës
Kryeministri Sali Berisha festoi fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit në Durrës. Kreu i demokratëve ka gëzuar me përkrahësit e Partisë Demokratike në Durrës suksesin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pak ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli rezultatin zyrtar. Por, ndryshe nga kreu i socialisteve, Edi Rama, kryetari i PD-së, Sali Berisha, bëri vlerësimin më pozitiv për standardin e zgjedhjeve. "I dhamë vendit procesin me integritet më të lartë. Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve të vendit në KQZ mbërritën këtë herë 30 ankesa, ndryshe nga 300 që ishin në vitin 2005", deklaroi Berisha. Lideri i mazhorancës siguroi elektoratin e Partisë Demokratike, si edhe të gjithë shqiptarët, se mbajtja e premtimit për ndërtimin e Shqipërisë europiane do të përbëjë axhendën e përditshme të punës së tij. "Ne e nisim këtë mandat, pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe botës se nuk ka projekt që nuk do të zbatohet në interes të shqiptarëve. Ky është një mandat në të cilin ne do t‘ia dalim ta ndryshojmë këtë vend nga Konispoli në Vermosh", theksoi Berisha. Kryeministri veçoi të rinjtë si shtyllën kryesore të fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit për koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike. Sipas Berishës, në krahasim me katër vite më parë, qeveria e re e nis punën, absolutisht, me një dallim të atillë që ekziston midis territ dhe errësirës. "Katër vite më parë, ne erdhëm në pushtet dhe duhet të përballeshim me bandat më të egra në Europë, duhet të shembnim sistemin e kleptokracisë, të përballeshim me një sistem arsimor e shëndetësor në degradim të vërtetë, me një infrastrukturë thuajse të rrënuar, me mungesa të madhe projektesh", tha ai. Kreu i qeverisë nënvizoi se "e nisim këtë mandat si një vend anëtar i NATO-s, pasi jemi bërë të famshëm në Europë dhe më gjerë për klimën e biznesit. Ne e nisim këtë mandat, pasi u kemi faktuar shqiptarëve dhe mbarë botës se nuk ka projekt që ne nuk mund ta zbatojmë në këtë vend, në interesin publik të shqiptarëve". Duke radhitur projektet e ardhshme të qeverisë, Berisha shtoi se nga janari i vitit që vjen nuk do të lejohet asnjë litër nafte D2.