PD mbron Ristanin: Në KQZ e zgjodhi PS
Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, i dha dje përgjigje deklaratës së kryesocialistit, Edi Rama, i cili akuzoi Berishën se po mban peng zgjedhjet. Sipas Mëhillit, "Rama, duke u përpjekur të fshehë humbjen, vazhdoi serialin e tij të shëmtuar të përsëritur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor". Lidhur me këto deklarata të përsëritura nga kampin socialist, Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, bën me dije se "të gjitha procesverbalet dhe tabelat e rezultateve të rretheve, Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim apo vërejtje të veçantë". Sipas Mëhillit, "Rama që nuk i beson dot as këmishës së tij është e natyrshme që nuk ka se si t‘i besojë firmave të tyre". Zëdhënësja e PD-së sqaroi se Partia Demokratike nuk ndërhyn në problemet e brendshme të Partisë Socialiste edhe në rast se Rama padit në Gjykatë individualisht apo kolektivisht komisionerët dhe vëzhguesit e partisë së tij. "Lidhur me sulmet e Edi Ramës ndaj kryetarit të KQZ-së Ristani, i cili ka kryer me integritet të lartë detyrën e besuar, informojmë opinionin publik se midis tre kandidaturave të paraqitura nga PD për këtë post është Edi Rama që ra dakord për Ristanin, ndaj dhe sulmet e tij nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike", thuhet në komunikatën për shtyp të PD-së. Në emër të PD-së, Mëhilli kthehet në retrospektivë, duke theksuar se "i kujtojmë zotit Rama, ndonëse ai është sot në krye të PS, se dosjet e korrupsionit të tij të hartuara nga ministrat e PS dhe që janë sot eksponentë kryesorë të kësaj partie, gjenden në Prokurori". Lidhur me mandatin e nëntë të Fierit, Partia Demokratike thekson se PS ia mori PDI-së mandatin.
"Numërimi i votave në dy qendrat e Libofshit është bërë në mungesë të komisionerëve dhe vëzhguesve të PD e PDI. Numërimi është bërë vetëm nga komisioneri socialist, i njohur si hajduti, që për të vjedhur shfrytëzoi errësirën dhe që fiku kamerat e filmimit të votave", tha Mëhilli, duke shtuar se PD beson te Kolegji Zgjedhor dhe gjykimi objektiv të tij.
"Numërimi i votave në dy qendrat e Libofshit është bërë në mungesë të komisionerëve dhe vëzhguesve të PD e PDI. Numërimi është bërë vetëm nga komisioneri socialist, i njohur si hajduti, që për të vjedhur shfrytëzoi errësirën dhe që fiku kamerat e filmimit të votave", tha Mëhilli, duke shtuar se PD beson te Kolegji Zgjedhor dhe gjykimi objektiv të tij.