LSI bën apel për shqyrtimet në Kolegj
Lëvizja Socialiste për Integrim, nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm, Petrit Vasili, i bëri apel Kolegjit Zgjedhor që të mos ndikohet nga presionet në shqyrtimin e ankimimeve për zgjedhjet. Sipas Vasilit partitë politike po ushtrojnë presion mbi KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor. "Gjate gjithë kësaj kohe opinioni publik është përballuar me presione deri edhe kërcënime gjithfarësh gjatë procesit të vendimmarrjes së institucioneve si KQZ dhe Kolegji Zgjedhor, institucione që gëzojnë autoritetin ligjor që të certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri", është shprehur Vasili. Ne, tha Vasili, i bëjmë thirrje Kolegjit Zgjedhor që në veprimtarinë e tij të udhëhiqet vetëm nga ligji dhe Kodi Zgjedhor dhe të mos influencohet nga asnjë lloj presioni apo kombinacioni politik ngado që ai të vijë. Më tej, sekretari i përgjithshëm i LSI-së theksoi se, "pavarësisht nga rezervat që LSI ka për zgjedhjet dhe standardet e tyre, ne kemi respektuar institucionet që ngarkon ligji si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Kolegji Zgjedhor". Sipas Vasilit "këto institucione janë ndërtuar nëpërmjet konsensusit të gjerë të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike dhe si të tilla duhen respektuar me qetësi si funksionimi ashtu edhe vendimet e tyre, duke u distancuar nga presionet e njëanshme dhe anakronike për qëllime të përfitimit të ngushtë partiak". Zyrtari i lartë i LSI-së ka komentuar edhe deklaratën e bërë nga kryetari i Partisë Socialiste Rama, i cili e ka quajtur bashkëpunimin PD-LSI, si një martesë mes këtyre dy liderëve. "Me thënë të vërtetën, Rama e ka të pamundur të shkëputet nga para-politika. Por edhe kur e bën atë, sërish e ka të pamundur të dalë nga dëshira e tij për të interpretuar në mënyrë erotike si marrëdhënie midis meshkujve të gjitha vendimet institucionale politike", është shprehur Vasili. LSI-ja i ka zbutur tonet e debateve në politikë që pas pranimit të ftesës së Kryeministrit Berisha për të bashkëqeverisur për katër vitet e ardhshme.