E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Berisha nuk na përçan dot

Partia Socialiste do të mbrojë mandatet me ligj. Kreu socialist, Edi Rama, reagoi dje menjëherë pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për Qarkun e Fierit, duke deklaruar se ky institucion është kthyer në një vegël qorre të Sali Berishës. Në kushtet kur PS mendon se po preket demokracia në vend, kreu i kësaj partie pa me vend të paralajmërojë kundërshtarët e tij, Sali Berishën dhe Ilir Metën se nuk do mundin të fshehin të vërtetën e 28 qershorit edhe pse po tentojnë ta bëjnë këtë përmes KQZ-së. "Rikthimi te mandati ynë i nëntë në Fier i kësaj KQZ-je të kthyer në vegël qorre të Sali Berishës, përmes një kryetari të dënuar në të shkuarën e tij, jo të largët për marrje ryshfeti dhe një shumice që nuk i nënshtrohet ligjit po oreksit të Sali Berishës, është kuptimplotë për të gjithë ata që duan realisht të dinë se çfarë ka ndodhur më 28 qershor, çfarë po ndodh pas 28 qershorit dhe çfarë mund të ndodhë ende më tutje në rast se Partia Socialiste nuk bën atë që po bën e do të bëjë deri në fund", deklaroi kreu socialist. Duke akuzuar shumicën e KQZ-së, kreu i PS-së paralajmëroi zvarritjen e procesit, për të grabitur mandatet e PS-së, por kjo, sipas atij, nuk do të ndalë këtë parti në detyrimin e saj për të mbrojtur demokracinë. "Gjithçka që Sali Berisha ka marrë e mund të marrë deri në fund në rrugë të paligjshme, në shkelje të plotë të ligjit e të së drejtës sonë për të qenë të barabartë përpara ligjit, ne do ta rimarrim në rrugën e ligjshme të një force të madhe politike të grabitur në të drejtën e saj, duke mos ngurruar të përdorim çdo mjet që liria e demokracia ia japin njerëzve kur pushteti u mohon të drejtën e barazisë përpara ligjit. Dhe askush nuk duhet ta harrojë se jemi forca më e madhe e politikës shqiptare", nënvizoi Rama.

Referuar koalicionit, PD-LSI, kreu i Partisë Socialiste theksoi se ky koalicion nxitoi të bëhej i tillë, duke pasur si synim pikërisht fshehjen e krimit elektoral të 28 qershorit. "Shqipëria e shqiptarët, tha Rama, po e shohin dhe po e kuptojnë përditë se pushteti shtatanik i çiftit të ri të politikës së vjetër lindi me ngut të rrufeshëm pikërisht për të ndaluar zbardhjen e krimit elektoral të 28 qershorit, për ta vënë nën presionin e një pushteti të ri të gjithë procesin e ankimimeve tona apo të kujtdo tjetër që kërkon transparencë, për të mos lejuar që të hapen kutitë e Beratit, Tiranës, Shkodrës apo edhe të qyteteve të tjera, ku të tjera subjekte të dëmtuara kërkuan rinumërime". Rama shprehu bindjen se nga hapja e kutive populli mund të shohë qartë atë që Sali Berisha kërkon të fshehë me çdo kusht, duke arritur deri në pikën që t‘i kërkojë dorën me përunjësi Ilir Metës. "Mua nuk më mbetet veçse t‘i përsëris publikisht Sali Berishës se një pushtet i grabitur nuk mbahet dot në mes të Europës në shekullin XXI dhe nga përballja me të vërtetën e kutive të marra peng në kundërshtim me ligjin e me të drejtën e opozitës, nuk e shpëton dot as ish i dënuari për marrje ryshfeti që ka në krye të KQZ-së", tha Rama. As i dënuari me turp, vijoi ai, që vrapoi t‘i ulet në prehrin e lënë bosh nga Xhuveli dhe as përpjekja e ethshme për të bërë diversion në Partinë Socialiste. Kjo parti, ngulmoi ai, do të jetë një pengesë e pakapërcyeshme në rrugën e Sali Berishës.

Reagimi

PD mbron Ristanin:

Në KQZ e zgjodhi PS

Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, i dha dje përgjigje deklaratës së kryesocialistit, Edi Rama, i cili akuzoi Berishën se po mban peng zgjedhjet. Sipas Mëhillit, "Rama, duke u përpjekur të fshehë humbjen, vazhdoi serialin e tij të shëmtuar të përsëritur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor". Lidhur me këto deklarata të përsëritura nga kampin socialist, Partia Demokratike, nëpërmjet zëdhënëses së saj, bën me dije se "të gjitha procesverbalet dhe tabelat e rezultateve të rretheve, Beratit, Shkodrës dhe Tiranës kanë firmat e të gjithë komisionerëve të PS të të gjitha niveleve, pa asnjë shënim apo vërejtje të veçantë". Sipas Mëhillit, "Rama që nuk i beson dot as këmishës së tij është e natyrshme që nuk ka se si t‘i besojë firmave të tyre". Zëdhënësja e PD-së sqaroi se Partia Demokratike nuk ndërhyn në problemet e brendshme të Partisë Socialiste edhe në rast se Rama padit në Gjykatë individualisht apo kolektivisht komisionerët dhe vëzhguesit e partisë së tij. "Lidhur me sulmet e Edi Ramës ndaj kryetarit të KQZ-së Ristani, i cili ka kryer me integritet të lartë detyrën e besuar, informojmë opinionin publik se midis tre kandidaturave të paraqitura nga PD për këtë post është Edi Rama që ra dakord për Ristanin, ndaj dhe sulmet e tij nuk janë tjetër veçse një rrugaçëri dhe pafytyrësi politike", thuhet në komunikatën për shtyp të PD-së. Në emër të PD-së, Mëhilli kthehet në retrospektivë, duke theksuar se "i kujtojmë zotit Rama, ndonëse ai është sot në krye të PS, se dosjet e korrupsionit të tij të hartuara nga ministrat e PS dhe që janë sot eksponentë kryesorë të kësaj partie, gjenden në Prokurori". Lidhur me mandatin e nëntë të Fierit, Partia Demokratike thekson se PS ia mori PDI-së mandatin.

"Numërimi i votave në dy qendrat e Libofshit është bërë në mungesë të komisionerëve dhe vëzhguesve të PD e PDI. Numërimi është bërë vetëm nga komisioneri socialist, i njohur si hajduti, që për të vjedhur shfrytëzoi errësirën dhe që fiku kamerat e filmimit të votave", tha Mëhilli, duke shtuar se PD beson te Kolegji Zgjedhor dhe gjykimi objektiv të tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›