Berisha feston me ambasadorët e huaj në Tiranë
Kryeministri Berisha feston me diplomatët e huaj në Tiranë ftesën që mori Shqipëria në Samitin e Bukureshtit. Ai shtroi dje një drekë në Pallatin e Brigadave në shenjë falënderimi për ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s. Kryeministri Berisha u shprehu ambasadorëve të vendeve anëtare të NATO-s mirënjohjen për mbështetjen e çmuar që anëtaret të Aleancës kanë dhënë për integrimin e Shqipërisë. Kryeministri theksoi se besimi që NATO-ja i dha Shqipërisë duke i ofruar ftesën e anëtarësimit në Samitin e Bukureshtit, erdhi si rezultat i reformave thelbësore, të cilat e bënë Shqipërinë të gatshme për anëtarësimin në Aleancë. "Besimi që ju na dhatë erdhi si rezultat i reformave thelbësore, për të cilat kombet tuaja dhanë një ndihmë thelbësore në të gjitha aspektet për ta bërë Shqipërinë të gatshme për marrjen e ftesës. Dua t‘ju shpreh mirënjohjen time të thellë, të gjithëve për këtë mbështetje. Ne jemi shumë krenarë që e shohim këtë proces që e sjell kombin tim në një skenë të re të jetës politike", tha Berisha. Ndërkaq, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha mori pjesë nё punimet e Sesionit tё 118-tё tё Komitetit tё Ministrave tё Këshillit tё Evropës, qё u zhvilluan mё datёn 7 maj 2008 nё Strasburg. Ministri Basha në fjalën e vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet organizatave ndërkombëtare, bashkëpunimin rajonal dhe rolin e Shqipërisë në drejtim të forcimit të paqes dhe stabilitetit në rajon. Në këtë frymë, ai përshëndeti nënshkrimin së fundmi të MSA-së nga Serbia.