E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvend, opozita akuzon qeverinë për korrupsion, PD-ja hesht

Sondazhi i USAID-it, i publikuar dy ditë më parë, ku theksohej se korrupsioni në Shqipëri është rritur me 13%, është kthyer në objekt debati dje në sallën e Kuvendit. Ky debat është bërë i njëanshëm më shumë nga deputetët e opozitës, ndërkohë që mazhoranca e vënë para shifrave konkrete të publikuara nga ky sondazh, ka gjetur rrugën e heshtjes. Qëndrimeve kritike të opozitës ndaj mënyrës së qeverisjes së Kryeministrit Berisha u është përgjigjur nga mazhoranca vetëm deputeti Ferdinant Xhaferri. Ai, duke kundërshtuar deklaratat e deputetëve të opozitës, është shprehur se "mazhoranca e djathtë, gjatë tre viteve qeverisje, ka arritur të ndajë politikën nga krimi dhe gjatë tre viteve të qeverisjes së kësaj mazhorance vendi ka njohur rritje ekonomike dhe ecje përpara në procesin e reformave". Ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, është shprehur se "konkluzionet e këtij sondazhi na njohin me rritje të korrupsionit në vend në raport me vitin 2006, ndërkohë që shifrat e publikuara janë mbledhur para tragjedisë së Gërdecit, në muajt janar-shkurt". "Nëse do të kishim një perceptim për korrupsionin pas kësaj ngjarjeje, vijoi ajo, shifrat e tij do të rezultonin shumë më të larta". "Sondazhi është shqetësues, jo vetëm për korrupsionin në rritje te zyrtarët, por edhe për uljen e besueshmërisë së qytetarëve ndaj qeverisë", është shprehur Leskaj. Për rritjen e korrupsionit në implikimin në të të zyrtarëve më lartë të vendit, duke filluar nga Kryeministri dhe ministrat e qeverisë, ka diskutuar dje në Kuvend edhe nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe. Ai u ka kujtuar shqiptarëve se tashmë korrupsioni bëhet nga Kryeministri dhe qeveria e tij, e cila është e inkriminuar. "Ministrat e sotëm, ose janë nën hetim, ose kanë dhënë dorëheqjen nga postet e tyre, për shkak se po hetohen nga prokuroria për shpërdorim detyre dhe vjedhje", tha Braçe. Ai ka sjellë në kujtesën e të gjithëve akuzat që janë bërë nga prokuroria për ministrin Lulzim Basha, për ish-ministrin Mediu, shkakun e dorëheqjes së ish-ministrit të Drejtësisë, Rusmajli, si dhe rastin e ministrit Olldashi, i cili është thirrur si dëshmitar nga gjykata për zbardhjen e një vrasjeje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›